Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Për të garantuar siguri më të lartë në rrugët që lidhin Kosovën me Shqipërinë, policitë e të dy vendeve kanë paralajmëruar kontrolle të shtuara, përdorim të radarëve statikë dhe penalizim për çdo shkelës të rregullave në trafik.
Komandanti i Autostradës në Policinë e Kosovës, Ismail Fejzullahu, paralajmëroi se do të ketë kontrolle të shtuara dhe përdorim të radarëve statikë përgjatë rrugëve kryesore që lidhin Kosovën me Shqipërinë. Ai bëri të ditur se çdo shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor do të regjistrohet dhe do të ndëshkohet sipas ligjit.
"Qytetarët e Kosovës vetëm kanë filluar ta kuptojnë se ka radar statik, dhe unë shfrytëzoj rastin të bëj apel që le të jenët të kujdesshëm, do të ketë radar statik të cilët mund të bëjnë incizimin e tyre, dhe kundërvajtjet e tyre regjistrohen direkt në sistemin tuaj që e përmenda e keni më të avancuar në regjistrimin e kundërvajtësve të shkelësve të ndryshëm", tha Ismail Fejzullahu, komandant i trafikut në autostradë.
Ndërkohë, një apel për respektim të sinjalistikës rrugore ka ardhur edhe nga shefi i Sigurisë Rrugore i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit shqiptar, Artur Selimaj.
"Kodi rrugorë i Republikës së Shqipërisë i ka të përcaktuara qartë, për shtetasit e huaj likuidimi mund të bëhet në vend, në rastet kur ligji parashikon tërheqjen e pantetës, apo ndonjë dokument tjetër ligjor, për të mos u bërë shkak për pengimin dhe bllokimin administrativ të mjetit, kodi rrugor parashikon pagesën dyfish të gjobës. Nëse likuidimi bëhet në vend, të gjithë shtetasit, përfshirë edhe ata të Kosovës të paguajnë 50% të gjobës, nëse e paguajnë brenda afateve të caktuara", tha Selimaj.
Autoritetet e të dy vendeve po punojnë ngushtësisht për të garantuar rendin dhe sigurinë në akset kryesore rrugore që lidhin Kosovën me bregdetin shqiptar./rtk/