Karate Kid: Legends, filmi më i ri dhe i gjashti në serinë Karate Kid, ka kaluar një moment historik të rëndësishëm në box office. Sipas Deadline, deri të dielën në mëngjes, filmi ka arritur një fitim global prej 47 milionë dollarësh, vetëm në fundjavën e parë të hapjes së tij në Amerikën e Veriut, pas një lansimi të hershëm në disa tregje ndërkombëtare.
Ky sukses është veçanërisht i rëndësishëm, pasi buxheti i filmit ishte 45 milionë dollarë – duke e bërë atë filmin më të shtrenjtë të serisë, madje 5 milionë më shumë se ribërja e vitit 2010. Arritja e shpejtë e këtij fitimi tregon një rikthim të fuqishëm të markës Karate Kid, edhe pse kritikat janë të përziera – filmi ka marrë një vlerësim prej 59% në Rotten Tomatoes, duke e renditur si filmin e tretë më të pëlqyer nga gjashtë të tillë.
Në këtë kapitull të ri të sagës, shohim kthimin e Daniel LaRusso (Ralph Macchio) dhe mentorit Mr. Han (Jackie Chan), të cilët bashkojnë forcat për të stërvitur nxënësin e ri Li Fong (Ben Wang), një i ri që ka lënë Pekinin për të jetuar në New York. Tashmë pritet të shihet se si do të performojë në javët e ardhshme, por një gjë është e sigurt – Karate Kid është ende në lojë!