Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Platforma e njohur muzikore dhe podcastesh Spotify është vënë në qendër të kritikave pas një hetimi të CNN që zbuloi dhjetëra faqe podcastesh të rreme që reklamojnë shitjen e barnave të kontrolluara pa recetë mjekësore.
Kërkimet për terma si “Adderall”, “Xanax” apo “Percocet” në Spotify shpesh prodhojnë rezultate që përfshijnë faqe podcastesh me emra si “My Adderall Store” apo “Xtrapharma.com”, të cilat nuk përmbajnë asnjë përmbajtje të mirëfilltë audio, por shërbejnë vetëm për të shpërndarë lidhje drejt faqeve të rrezikshme që pretendojnë se shesin barna pa recetë.
CNN identifikoi mbi 20 të tilla që qëndronin aktive për muaj me radhë. Disa prej tyre përmbanin zëra të gjeneruar me tekst-në-audio që reklamonin medikamente si Xanax, Ambien apo Oxycontin. Spotify, pasi u informua për rastet, fshiu menjëherë disa prej tyre, por problematika vazhdon, pasi faqe të ngjashme vazhdojnë të paraqiten në kërkime të reja.
Platforma e ka të ndaluar përmbajtjen që promovon shitje të paligjshme ose përmbajtje spam, por ekspertët e sigurisë online thonë se sistemi i tyre i moderimit mbetet i pamjaftueshëm. Përdorimi i inteligjencës artificiale për krijimin e përmbajtjes e ka bërë më të lehtë që mashtruesit të tejkalojnë filtrat.
Spotify ka premtuar se po përmirëson vazhdimisht mjetet e saj të moderimit, por rasti i fundit ka ngritur sërish pyetje mbi përgjegjësinë e platformave për përmbajtjet që lejojnë në hapësirën e tyre digjitale, veçanërisht kur bëhet fjalë për shëndetin publik dhe rrezikun për të rinjtë.