Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në fshatin Tulsi të Indisë, me rreth 4,000 banorë, më shumë se 1,000 prej tyre punojnë në YouTube në një formë apo tjetër. Rrugët e fshatit janë kthyer në skena filmimi, dhe është e vështirë të gjesh dikë që nuk ka marrë pjesë në një video.
YouTube ka transformuar ekonominë lokale, duke sjellë jo vetëm përfitime financiare, por edhe duke u bërë një mjet për barazi dhe ndryshim shoqëror. Shumë gra, që dikur kishin mundësi të kufizuara në këtë zonë rurale, kanë gjetur burime të reja të ardhurash përmes kanaleve të tyre në YouTube. Nën hijet e pemëve banyan, bisedat sot fokusohen te teknologjia dhe interneti.
Kjo histori nisi në vitin 2018, kur Jai Varma dhe Gyanendra Shukla themeluan kanalin Being Chhattisgarhiya. Videoja e tyre e tretë, që përfshinte një çift të ri të ngacmuar në Ditën e Shën Valentinit, u bë virale për përzierjen e humorit dhe mesazhit social. Brenda pak muajsh, ata arritën dhjetëra mijëra ndjekës, një shifër që tani ka kaluar 125,000 abonentë dhe 260 milion shikime.
Suksesi i tyre frymëzoi banorët e tjerë të Tulsit. Autoritetet lokale, të impresionuara nga ky revolucion digjital, ndërtuan një studio moderne në vitin 2023 për të mbështetur krijuesit e përmbajtjes.
Në mes të kësaj suksesi spikat Pinky Sahoo, 27 vjeç, e cila kaloi nga postimet në YouTube Shorts në një karrierë aktrimi, duke luajtur në shtatë filma rajonalë.
YouTube, që këtë muaj shënon 20 vjetorin e tij, nuk ka ndryshuar vetëm internetin, por edhe jetët e njerëzve në Tulsi. Sot, për shumë të rinj atje, krijimi i videove nuk është thjesht hobi — është një rrugë drejt një të ardhmeje më të mirë.