Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ajsbergu më i madh në botë, i njohur si A23a, është në lëvizje përsëri, duke lundruar nëpër Oqeanin Jugor pas muajsh të ngecur në të njëjtin vend, sipas shkencëtarëve nga British Antarctic Survey (BAS).
Me një sipërfaqe prej 3,672 kilometra katrorë – pak më e madhe se Rhode Island – ky ajsberg ka qenë nën vëzhgim të rreptë që kur u shkëput nga pllaka e akullit Filchner-Ronne në vitin 1986. Pas më shumë se 30 vitesh i bllokuar në fundin e Detit Weddell të Antarktidës, besohet se ajsbergu është tkurrur mjaftueshëm për t'u shkëputur nga fundi i detit.
Pas çlirimit, rrymat oqeanike e zhvendosën ajsbergun, por ai ngeci përsëri për shkak të një vorteksi rrotullues uji, të quajtur "kolona Taylor", e shkaktuar nga përplasja e rrymave me një malnënujës.
Tani që A23a ka dalë përsëri në lëvizje, shkencëtarët presin që ai të vazhdojë udhëtimin drejt ujërave më të ngrohta dhe ishullit të largët të South Georgia-s. Aty, me shumë gjasa, do të shpërbëhet dhe do të shkrihet.
A23a ka mbajtur titullin “ajsbergu më i madh aktual” disa herë që nga vitet 1980, duke u kaluar herë pas here nga ajsbergë më të mëdhenj, por më jetëshkurtër, si A68 në 2017 dhe A76 në 2021.
Edhe pse A23a besohet se është shkëputur si pjesë e ciklit natyror të zgjerimit të akullnajave dhe nuk do të kontribuojë në rritjen e nivelit të detit, shkencëtarët theksojnë se ndryshimet klimatike po ndikojnë ndjeshëm në këtë kontinent të izoluar. Pasojat mund të jenë shkatërruese për nivelin global të detit.
Në udhëtimin e tij, shkencëtarët kanë studiuar erozionin e ajsbergut dhe mënyrat se si akulli i detit ndikon në ciklet globale të karbonit dhe lëndëve ushqyese.
“Ajsbergët e mëdhenj si ky mund të sjellin lëndë ushqyese në ujërat ku kalojnë, duke krijuar ekosisteme të begata në zona që normalisht janë më pak produktive,” tha Laura Taylor, biogjeokimiste e BAS, në një deklaratë.
Ekipi ka mbledhur mostra të ujit për të kuptuar më mirë ndikimin e ajsbergut në ekosistemin detar dhe balancën e karbonit mes oqeanit dhe atmosferës. “Ne ende nuk e dimë se çfarë roli luajnë madhësia dhe origjina e ajsbergëve në këto procese,” shtoi Taylor.
Ajsbergu A23a jo vetëm që është një spektakël natyror, por edhe një burim i vlefshëm për të kuptuar më mirë lidhjen delikate mes oqeanit dhe klimës globale.