Gjiganti industrial gjerman, Bosch, ka njoftuar planet për të shkurajuar rreth 8,250 vende pune në mbarë botën gjatë viteve të ardhshme. Reduktimet do të prekin kryesisht sektorin e mobilitetit, i cili furnizon pjesë për prodhuesit e automjeteve, si pasojë e kërkesës së dobët, kostove të larta dhe konkurrencës në rritje.
Në një deklaratë për CNN, një zëdhënës i kompanisë tha:
“Mjedisi i vështirë ekonomik dhe transformimi i vazhdueshëm në industrinë e automobilave po na përballin me sfida të mëdha, ashtu si edhe kompanitë e tjera. Për ne është e rëndësishme të mbetemi konkurrues në këto kushte.”
Këto shkurtime, që përbëjnë pothuajse 2% të fuqisë punëtore globale të Bosch prej 429,000 punonjësish në fund të vitit 2023, janë një pasqyrim i transformimit të thellë në sektorin e mobilitetit, shtoi kompania.
Një ekonomi në vështirësi
Lajmi për reduktimet vjen si një tjetër goditje për ekonominë më të madhe të Evropës, e cila po përballet me një stuhi sfidash. Konkurrenca nga prodhuesit kinezë, kostot e larta të punës dhe taksat, si dhe rritja e çmimeve të energjisë të nxitura nga lufta në Ukrainë, po vënë në vështirësi shumë prodhues të mëdhenj gjermanë.
Javën e kaluar, dhjetëra mijëra punonjës të Volkswagen hynë në grevë në të gjithë Gjermaninë, pas bisedimeve të zgjatura për kontratat kolektive të punës. Kompania nuk e përjashtoi mundësinë e shkurtimeve masive dhe mbylljeve të fabrikave, duke i cilësuar si të nevojshme për të stabilizuar pozitat financiare.
Edhe prodhuesi më i madh i çelikut në Gjermani, Thyssenkrupp, njoftoi muajin e kaluar plane për të shkurajuar 11,000 vende pune deri në fund të dekadës, rreth 40% të fuqisë punëtore, duke përmendur si arsye rritjen e importeve të lira nga Azia.
Perspektiva për ekonominë gjermane
Pas tkurrjes së ekonomisë në vitin 2022 për herë të parë që nga pandemia, Gjermania pritet të përjetojë një tjetër vit recesioni në 2023, sipas parashikimeve të Komisionit Evropian. Situata tregon sfidat e thella me të cilat po përballet industria prodhuese e vendit, një shtyllë kryesore e ekonomisë gjermane.