Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Kafedashësit mund të përballen me një shtrenjtim të kafesë së mëngjesit, pasi çmimi i kafesë në tregjet ndërkombëtare ka arritur nivelet më të larta historike.
Të martën, çmimi për kokrrat Arabica – të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të prodhimit global – arriti në $3.44 për paund (0.45 kg), duke shënuar një rritje prej mbi 80% gjatë këtij viti. Ndërkohë, çmimi i kokrrave Robusta preku një tjetër rekord në shtator.
Kjo situatë vjen pasi Brazili dhe Vietnami, dy prodhuesit më të mëdhenj në botë, janë përballur me kushte të pafavorshme klimatike, duke ndikuar në uljen e prodhimit. Ndërkohë, popullariteti i kafesë vazhdon të rritet në mbarë globin.
Një ekspert tha për BBC-në se markat e kafesë po shqyrtojnë mundësinë e rritjes së çmimeve vitin e ardhshëm.
Markat në prag të ndryshimeve të mëdha
Pavarësisht se në vitet e fundit kompanitë kryesore të përpunimit të kafesë kanë përballuar kostot e larta për të kënaqur klientët dhe për të ruajtur pjesën e tregut, situata po ndryshon, sipas Vinh Nguyen, drejtor ekzekutiv i kompanisë Tuan Loc Commodities.
"Marka si JDE Peet (pronari i Douwe Egberts), Nestlé dhe të tjera kanë përballuar deri tani rritjen e çmimeve të lëndës së parë vetë," tha ai. "Por tani ato janë pothuajse në një pikë kritike. Shumë prej tyre po shqyrtojnë mundësinë e rritjes së çmimeve në supermarkete në tremujorin e parë të vitit 2025."
Në një event për investitorët në nëntor, një ekzekutiv i lartë i Nestlé pranoi se industria e kafesë po përballet me "kohë të vështira" dhe paralajmëroi për ndryshime në çmime dhe madhësinë e paketimeve.
"Ne nuk jemi imunë ndaj çmimit të kafesë, aspak," tha David Rennie, drejtues i markave të kafesë te Nestlé.
Thatësira dhe reshjet e mëdha
Rekordi i mëparshëm për çmimin e kafesë ishte vendosur në vitin 1977, pas një stuhie dëbore që shkatërroi plantacionet në Brazil.
"Shqetësimet për të korrat e vitit 2025 në Brazil janë faktori kryesor," tha Ole Hansen, kreu i strategjisë së mallrave te Saxo Bank.
"Brazili përjetoi thatësirën më të rëndë në 70 vitet e fundit gjatë gushtit dhe shtatorit, të ndjekur nga reshje të mëdha në tetor, duke rritur frikën se të mbjellat mund të dështojnë."