Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë nëpër rrugët e Barcelonës në mbrëmjen e së shtunës me kërkesën për çmime të përballueshme të banimit.
Policia ka thënë se rreth 22.000 njerëz kanë marrë pjesë në protesta, ndërsa organizatorët kanë thënë se kanë qenë 170.000 pjesëmarrës.
Protestuesit kanë kërkuar që çmimet e qirave të përgjysmohen ka raportuar e përditshmja El Pais.
Protestuesit kërkojnë edhe që banesat në zonat turistike të jenë të qasshme sërish për banorët e Barcelonës, kryeqytetit të rajonit të Katalonjës, në verilindje të Spanjës.
Një kërkesë tjetër e tyre ka qenë që kontratat e qirave të nënshkruhen për periudhë të pakufizuar.
“Është e papranueshme për ne që të shpenzojmë gjysmën e rrogës në qira, dhe të shpërngulemi secilën herë që na skadon kontrata”, ka thënë Carme Arcarazo, përfaqësuese e protestuesve.
Sipas gazetës El Pais, situata është duke u bërë secilën herë e më e vështirë në tregun e Barcelonës, pasi shtëpitë e banimit po shfrytëzohen për turizëm, si dhe për shkak që të huajt po blejnë shumë prona në këtë qytet.
Në muajt e fundit, protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në qytete e ishuj tjerë të Spanjës. Në disa është kërkuar edhe që t’i jepet fund turizmit masiv. /REL/