Kori “Siparantum” do ta përfaqësojë Kosovën në Kupën Botërore të Koreve që do të mbahet në Barcelonë nga 23 deri më 28 tetor.
Ngjarja mbledh koralet më të mira nga e gjithë bota dhe përfaqëson platformë unike për të prezantuar muzikën dhe traditat kulturore në skenën ndërkombëtare.
“Kupa Botërore e Korit është një nga platformat më të rëndësishme në botë për muzikën korale, dhe ne jemi të nderuar që kemi mundësinë të përfaqësojmë Kosovën në këtë event. Kemi punuar me një përkushtim të madh për të sjellë një performancë të nivelit më të lartë dhe shpresojmë që edhe kësaj radhe do të jemi të suksesshëm”, ka thënë dirigjenti Memli Kelmendi, sipas një komunikate për media nga ky kor.
Kori “Siparantum” do të konkurrojë në kategorinë “Adult Choir”, duke interpretuar vepra nga periudha të ndryshme stilistike të kompozitorëve si Jashari, Van der Roost, Runestad, Vovk dhe të tjerë.
“Siparantum” është fitues i 14 çmimeve ndërkombëtare dhe aktualisht renditet ndër 25 koret më të mira në botë në kategorinë
“Chamber Choirs & Vocal Ensembles”, sipas World Ranking List të Interkultur. Përveç konkurrimit, korit i është dhënë mundësia të shfaqë një koncert shtesë në kuadër të “Midnight Sounds”, ku dirigjenti ka përzgjedhur vepra nga kompozitorë shqiptarë. Ky koncert do të mbahet në Santa Maria i Sant Nicolau.