Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Pensionistët po e konsiderojnë si veprim elektoral vendimin e fundit të Qeverisë që të rriten për 20 për qind pensionet. Ata thonë se në total shuma mbetet e pamjaftueshme për nevoja elementare. Ata bëjnë thirrje që pensionet të rriten ashtu që të paktën, t’ua mbulojnë standardin elementar të jetesës.
Kosova është një nga vendet me pensionet më të ulëta në rajon, e Qeveria është krenuar që së fundmi i rriti të gjitha kategoritë e tyre për 20 për qind.
Megjithëkëtë rritje, pensionistët që do t’i marrin 20 euro më shumë që nga fillimi i nëntorit, nuk shprehen të kënaqur.
Kjo, sepse siç shpjegojnë ata, këto pensione nuk ua mbulojnë as shpenzimet elementare, siç janë barnat e lërë më të tjerat nevoja për jetesë.
”Veç e kam vajzën në Gjermani e po më ndihmon ajo se nuk ishin dalë, sendet shumë shtrenjtë. Unë e pensionerë të tjerë duam t’i rrisim, po prej tyre s’ka kurgjo”, ka thënë për TV Dukagjinin Tahir Spahiu, pensionist.
Sipas pensionistëve në Mitrovicë, megjithëse mirëpritet edhe kjo rritje, shprehen të zhgënjyer që vendimi sipas tyre u mor për qëllime elektorale, rreth 4 muaj para zgjedhjeve parlamentare që mbahen në shkurt të vitit që vjen.
”Mirë që u bë rritja po u bo vonë edhe u bë për interesa të tyre, me ia dhanë votat. Kjo do duhej të bëhej para dy viteve, kur mundet njeri me jetu me 100 euro”, ka thënë Rifat Ahmeti, pensionist.
”Jo, s’dalin. Marre është veç 100 euro rritje”, ka thënë Fehmi Aliu, pensionist.
Me vendimin e fundit, mbi 300.000 pensionistë do të përfitojnë nga rritja.
Pensioni bazik i moshës është rritur në 120 euro. Ndërkaq, pensioni kontribut-pagues për kategorinë e parë në 218 euro, për të dytën 237 euro, për të tretën 256 euro dhe për kategorinë e katërt 318 euro.
Pos kësaj, nga rritje përfitojnë edhe familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre kurse në skemën e pensioneve përfitojnë edhe personat me nevoja të veçanta.