Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Mbi 82 milionë euro është fatura që ka paguar Qeveria e Kosovës nga muaji janar deri në muajin gusht të këtij viti për rreth 48 mijë pensionistë kontributpagues të vendit.
Po në këtë periudhë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar mbi 123 milionë euro për më shumë se 151 mijë pensionistë të moshës, mbi 65 vjeç.
Sipas llogaritjeve, buxheti i Kosovës ndan mbi 300 milionë euro brenda një viti për këto dy skema pensionale.
Në këtë shumë përfshihen vlera e pensioneve kontributpaguese nga 180 deri në 265 euro dhe ajo e pensioneve të moshës prej 100 eurosh.
Më 7 tetor, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i rrisë pensionet dhe disa nga skemat sociale nga 20 deri në 50 për qind.
Sipas këtij vendimi, pensionistët kontributpagues, duke filluar nga ky muaj, do të marrin prej 218 deri në 318 euro, varësisht nivelit të arsimimit, kurse pensionet bazike apo të moshës do të jenë 120 euro.
Të gjitha këto mjete paguhen nga taksat e qytetarëve të Kosovës, respektivisht buxheti i Republikës së Kosovës, i cili këtë vit është 3.3 miliardë euro.
Skemat pensionale dhe sociale e rëndojnë jashtë mase buxhetin, thonë ish-zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Sipas ish-ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, mënyra e financimit të tyre nuk është menduar mirë.
“Unë vazhdoj të përsëris se nuk kemi një sistem të pensioneve që e paguan gjenerata për gjeneratën. Dhe, derisa nuk e krijojmë një fond të sigurimit social, që do të jetë ai mekanizmi që gjenerata të paguajë për gjeneratën, nuk do të kemi qetësi dhe rehati sociale dhe nuk do të arrijmë të krijojmë një mirëqenie për moshën e shtyrë”, thotë Reçica për Radion Evropa e Lirë.
Mendim të ngjashëm ka edhe drejtori i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), Burim Ejupi.
Po të ekzistonte sistemi që “gjenerata të paguajë për gjeneratën”, mjetet aktuale që shpenzohen për kategoritë pensionale dhe sociale, do të investoheshin në zhvillim ekonomik, rrjedhimisht në mirëqenie të qytetarëve të Kosovës, sipas tij.
“Tatimet e qytetarëve do të ktheheshin në infrastrukturë, siguri, arsim, shëndetësi… e jo të shkojnë në pensione”, thotë Ejupi.
Sistemi “gjenerata për gjeneratën” aplikohej para vitit 1989, kur Kosova ishte e përfshirë në sistemin e atëhershëm jugosllav të pensioneve.
Në atë sistem, punonjësit ekzistues kontribuonin në fondin e pensioneve dhe ato kontribute përdoreshin për t’ua paguar përfitimet pensionistëve ekzistues.
Më shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet ‘90, ky fond u bart në Serbi.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999 dhe me krijimin e institucioneve të Kosovës, në vitin 2002 nisi zbatimi i skemave pensionale të financuara nga buxheti i Kosovës.
Si funksionon sistemi i pensioneve në Kosovë?
Në bazë të Ligjit për Fondet Pensionale në Kosovë, sistemi pensional është i ndarë në tri shtylla.
Shtylla e parë: Pensioni bazik është pension që Qeveria ua paguan të gjithë banorëve të përhershëm të Kosovës që e kanë arritur moshën 65 vjet, pa marrë parasysh nëse kanë punuar apo kontribuar ndonjëherë. Këtu hyjnë edhe pensionistë kontributpagues të moshës, të cilët i kanë paguar kontributet në ish-Fondin Pensional të Kosovës, para datës 01.01.1999, por edhe skema tjera sociale që marrin para nga buxheti i shtetit.
Shtylla e dytë: Pensionet individuale të kursimeve që i siguron Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës. Në këtë fond që është krijuar në vitin 2002, punonjësi dhe punëdhënësi kontribuojnë me nga 5 për qind të pagës.
Shtylla e tretë: Fondet plotësuese pensionale të punëdhënësit. Kjo skemë është në baza vullnetare nga qytetarët.
Ejupi thotë se pensionet për kontributpaguesit do të jenë barrë për buxhetin deri në vitin 2031 dhe se, pas kësaj periudhe, do të rritet numri i pensioneve nga shtylla e dytë.
Sipas një studimi të INDEP-it në vitin 2018, thotë ai, qytetarët e fundit që mund të marrin pension kontributpagues janë ata të lindur në vitin 1966, të cilët supozohet se kanë filluar të punojnë në moshën 18-vjeçare, që do të thotë më 1984.
Këta qytetarë do të dalin në pension në vitin 2031 dhe pas disa vitesh kjo skemë do të mbyllet.
“Gjenerata jonë që punojmë, nuk do të jetë barrë e shtetit, sepse ne do të paguhemi nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, për të cilin paguajmë çdo muaj – aq sa paguajmë, edhe marrim”, thotë Ejupi.
Sipas tij, qytetarët duhet të vetëdijesohen më shumë për t’i paguar kontributet e pensionit, për të siguruar një të ardhme më të mirë.
Në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, i njohur edhe si Trust, vlera e kursimeve në shtator ka arritur në 3 miliard euro, me mbi 430 mijë llogari aktive.
Nga themelimi i këtij fondi në vitin 2002 deri në fund të vitit 2023, numri i përfitueseve të pensionit ka qenë rreth 74 mijë.
Vetëm gjatë vitit 2023, kursimet e tyre kanë nisur t’i tërheqin 7.684 qytetarë.
Reforma pensionale, “e pashmangshme”
Në mbledhjen e Qeverisë më 9 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se reformën pensionale do ta bëjë “gjatë mandatit të ardhshëm”.
Pa ofruar detaje, ai tha se “finalizimi i reformës pensionale do të sigurojë që ata e ato që kontribuuan më së shumti për këtë vend, ta kenë edhe trajtimin përkatës e të dinjitetshëm”.
Sipas Reçicës dhe Ejupit, reforma e tillë është e pashmangshme.
Ejupi thotë se, në radhë të parë, qytetarët që nuk jetojnë në Kosovë, duhet të hiqen nga listat e pensioneve.
“Numri i tyre besohet se nuk është i vogël. Të gjithë ne njohim qytetarë që jetojnë jashtë vendit dhe marrin pensione në Kosovë, që i shpenzojnë në shtetet ku jetojnë. Kjo e rëndon buxhetin. Qeveria, pas publikimit të rezultateve të regjistrimit të popullsisë [këtë vit], duhet t’i verifikojë këta persona”, thotë Ejupi.
Sipas Reçicës, në reformat pensionale dhe sociale në periudhën afatgjate duhet të merren parasysh edhe ndryshimet demografike.
“Regjistrimi i fundit i popullsisë tregoi qartë trendin e rënies së popullsisë dhe të largimit nga vendi. Kjo do të thotë se do të kemi edhe konsum, edhe të hyra më pak, sepse kur nuk ka konsum, nuk ka kush të paguajë taksa. Kjo tash nuk është rrezik, por duhet të analizohet për të ardhmen”, thotë Reçica.
Sipas të dhënave paraprake të regjistrimit të popullsisë, të realizuar në pjesën e parë të këtij viti nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vendi i ka rreth 1.5 milion banorë, apo rreth 8% më pak krahasuar më popullsinë e regjistruar në vitin 2011.
Të dhënat përfundimtare pritet të publikohen në fund të vitit, kur do të specifikohen edhe grup-moshat e banorëve.
Nga të dhënat e deritashme, mosha mesatare në Kosovë është rritur në 34.32 vjeç, krahasuar me rreth 30 vjeç sa ka qenë më 2011.
Nga buxheti i shtetit të Kosovës nuk paguhen vetëm pensionet bazë dhe ato kontributpaguese.
Numri i kategorive sociale, ndër vite, ka shënuar rritje.
Me ligje të veçanta rregullohen pensionet për personat me shikim të dëmtuar, pensionet për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, pensionet për personat me vlera të luftës, pensionet e veteranëve të luftës, pensionet e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), pensionet e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) e të tjera, të cilat financohen plotësisht nga shteti.
Deri më tash, këto skema i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës mbi 500 milionë euro në vit, ndërsa nga ky muaj kjo shumë pritet t’i kalojë 600 milionë euro. /REL/