Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Pacientët ndihen të rrezikuar nga prania e qenve në oborrin e QKUK-së

Vendi  |  23.09.2024 Ora 9:49   
Numri i madh i qenve endacakë në oborrin e QKUK-së ka nxitur frikë te pacientët dhe te familjarët e tyre. Ata thonë se kanë hasur në sulme të shpeshta të qenve, për çka u shprehën se ndihen të rrezikuar. Që problemi të eliminohet, ata kërkuan që Komuna e Prishtinës të bëjë një zgjidhje të shpejtë.

Tufa qensh endacakë kanë gjetur “strehë” brenda hapësirave të Qendrës Klinike Universitare (QKU).

Në këtë institucion, ku qytetarët drejtohen për të marrë shërbime shëndetësore, ata por edhe stafi mjekësor janë rrezikuar jo rrallë shkaku i sulmeve nga qentë. 

Si pasojë, pacientët e familjarët e tyre kanë thënë se nuk ndihen më të sigurt kur u duhet që të lëvizin përbrenda oborrit të QKUK-së. Qytetari Ismet Musshala ka treguar një nga sulmet e fundit në të cilën ishte vetë dëshmitar. 

“E kanë hëngër dje aty, e kanë batis. Sharru e kanë një femër. U dashtë me e pru në spital o vëlla. Për riza të zotit, këtu e kah të duash, veç me e pas armë se s’po dimë çka me ba. Armën nuk guxon me e mbajt, me e vra nuk guxon, e këta po donë me na hangër”, është ankuar Musshala.

E shqetësuar me situatën është shprehur edhe një paciente e cila në kusht anonimiteti, po ashtu ka rrëfyer një ndodhi të ngjashme të kafshimit nga qentë.

“Isha me një familjar duke ardhë këtu në QKUK. Ke një djalë i ri dhe e sulmuan tre qen. Unë me familjarin tim i ndihmuam atij për me u largu prej qenve dhe kjo është një situatë shumë e keqe. Se sa herë po vijmë këtu në QKUK, po ndihemi të rrezikuar prej qenve endacakë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, pacienti Pajazit Mehmeti kërkon që institucionet relevante e edhe Qeveria të ndërmarrin veprime për zgjidhjen e problemit me praninë e madhe të qenve endacakë përreth klinikave.

“Pata qejf me i bë apel Qeverisë për qeta qentë endacakë, përmbi 50-60 qenë. Që një javë jam në spital këtu, kam pa tri raste që i kanë rrëzuar për toke. U ardhë me e pa të sëmurin, e ka mbet vetë në spital. I bëj Qeverisë apel me marrë najfarë mase që me i mbrojt njerëzit prej tyre”, ka thënë Mehmeti.

Për zgjidhjen e shpejtë dhe trajtimin me prioritet të çështjes së qenve endacakë, SHSKUK-ja gjatë javës së shkuar i adresoi dy kërkesa Komunës së Prishtinës. 

Bazuar në të dhënat e SHSKUK-së, që nga janari e deri më tash 112 persona kanë kërkuar trajtim mjekësor shkaku i kafshimeve nga qentë.

“Bazuar në statistikat e Klinikës Emergjente, është rritur numri i rasteve që kanë kërkuar trajtim mjekësor si pasojë e dëmtimeve trupore nga kafshimi i qenve endacakë. Nga 1 janari deri më tani janë regjistruar 112 raste që kanë pësuar dëmtime të ndryshme trupore, përfshirë edhe raste me lëndime më të rënda që rrezikojnë jetën, e që janë spitalizuar për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën Infektive. Vitin e kaluar, në Klinikën Emergjente ishin regjistruar 84 raste që kishin kërkuar tretman mjekësorë nga kafshimi i qenve, kurse këtë vit ka rritje të rasteve të tilla”, thuhet në komunikatën e SHSKUK-së.

Në Komunën e Prishtinës, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me planet e parapara për zgjidhjen e problemit. 
E javën e shkuar, me rastin e hapjes së qendrës për trajtim dhe strehim të qenve endacakë, kryetari Përparim Rama pati paralajmëruar se brenda ditësh do të ndërmerren aksione për kapjen e qenve edhe nga oborri i QKUK-së, fillimisht për t’i trajtuar e më pas edhe për t’i dhënë për adoptim.
 
 

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing