Në Suedi po bëhen thirrje për ndalimin e “ecjes baba dhe vajze” drejt altarit në rastet e ceremonive martesore. Sipas traditës, në kishën suedeze, e cila është luterane, nusja dhe dhëndri ecin bashkë drejt altarit, në vend që nusja të shoqërohet drejt altarit nga babai i saj, siç mund të ndodhe në Britaninë e Madhe apo ne Shtetet e Bashkuara.
Por, në vitet e fundit, të ndikuara ndoshta edhe nga televizioni, filmat apo rrjetet sociale, më shumë vajza suedeze po kërkojnë që drejt altarit, “të dorëzohen” nga baballarët e tyre. Kjo çështje, që shumë suedezë e përshkruajnë si “traditë Hollivudi”, ka filluar të ziejë prej disa kohësh tashmë, sidomos në vitin 2010, kur princesha suedeze e kurorës, Victoria, vendosi të shoqërohej pjesërisht në altar nga babai i saj, Mbreti Carl Gustaf.
Në ditët e fundit, debati është rikthyer pas dorëzimit të një mocioni në adresë të kishës suedeze, për ta ndaluar praktikën e dorëzimit të vajzave nga baballarët në altar. Sara Waldenfors, pastore në Nylöse, Gothenburg, e cila së bashku me Jesper
Eneroth parashtroi propozimin në fjalë, tha se nuk ka shpëtim nga simbolika patriarkale.
“Trendi relativisht i ri, sipas të cilit, babai shoqëron nusen drejt altarit dhe ia dorëzon atë dhëndrit, nuk është traditë e kishës sonë,”-u shpreh ajo për Observer-in.
“Edhe pse si skenë duket e bukur ne nuk mund të shpërfillin atë që simbolizon: një baba duke i dorëzuar një virgjëreshë të mitur kujdestarit të saj të ri.”
Sipas traditës suedeze, nusja dhe dhëndri ecin së bashku drejt altarit.
Aktualisht, vendimi nëse një nuse mund të ecë apo jo drejt altarit me babanë e saj varet nga priftërinjtë individualë.