Këngëtarja e njohur shqiptare, Eliza Hoxha, ka bërë një rikthim të fuqishëm në skenën muzikore pas pesë vitesh mungesë. Eliza, e cila u tërhoq nga muzika në vitin 2019 për t’u angazhuar në politikë dhe fitoi statusin e deputetes në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka prezantuar projektin e saj të ri muzikor të titulluar “Pezull”.
“Pezull” është një baladë e veçantë që mbart një mesazh të thellë dhe emocional, duke shënuar një rikthim të vërtetë artistik për Elizën. Kjo këngë është realizuar në kuadër të një projekti shumë special, i cili ka për qëllim të kujtojë dhe të ndërgjegjësojë publikun për fatin e personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Muzika dhe teksti janë realizuar nga vet Eliza, gjersa orkestrimi i është besuar muzikantit të njohur Florent Boshnjaku. Ana vizuale e projektit është realizuar nga produksioni PinkMoon. Projekti synon të përçojë dhimbjen dhe shpresën e familjeve që ende presin lajme për më të dashurit e tyre që janë zhdukur që nga viti 1999.