Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinaj, në kuadër të takimeve në terren, ka thënë se pensionistët e Kosovës përballen me situatë të rënduar ekonomike dhe që pensioni prej 100 eurosh nuk mjafton as për barnat bazike. Ai theksoi se pensionet do të jenë në nivelin e pagës minimale, që arrijnë shifrën prej 450 eurosh.
Në një postim në ‘Facebook’, Haradinaj u shpreh se "premtimet e pambajtura të katër viteve të fundit janë treguesi i mashtrimit dhe i braktisjes së kësaj kategorie nga qeveria".
“Pensioni prej 100 e sa eurosh nuk mjafton as për barnat bazike, duke i shtyrë shumë drejt varfërisë së skajshme. Ato më e pakta do të jenë në nivelin e pagës minimale, që arrijnë shifrën prej 450 euro. Projeksioni ynë është që të sigurohet një buxhet dyvjeçar për fondin e sigurimeve shëndetësore për fillimin e zbatimit të ligjit për sigurime shëndetësore për të gjithë qytetarët”, është shprehur Haradinaj.
Ai më tej shtoi se beson se pensionistët do të gëzojnë kujdes të posaçëm, ku çdo qytetar jeton me dinjitet.