Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në Shqipëri ekzistojnë rreth 350 mijë ferma bujqësore, ku gati 160 mijë prej tyre kanë më pak se 1 hektarë tokë bujqësore, treguesi ky më i ulët në rajon. Fermerët e vegjël po përballen me vështirësi për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, por edhe çmimeve të ulëta të prodhimeve të tyre në treg.
70-vjeçari Ahmet Sulejmani është një nga fermerët në Anë të Malit, në Shkodër, i njohur për prodhimet bujqësore por edhe pasionin me të cilin ai punon në fermën e tij të vogël, e cila gjendet pranë kufirit me Malin e Zi.
Ahmeti i tha Zërit të Amerikës se këtë vit mbolli në fermë të gjitha llojet e perimeve, por në fund mbeti i pakënaqur pasi nuk arriti të shesë të gjithë prodhimin.
“Këtë vit punuam më shumë, por fituam më pak. Kjo ishte befasi. Edhe po të punosh, i gjithë malli shkon dëm. Shitet, por tregtari abuzon në mënyrë të pashembullt. E marrin bostanin krejt lirë. Nuk ke bostan sot në Shkodër nën 20 lekë kilogrami, ndërsa ne na e merr me 3-4 lekë. A ka interes të punosh tokën?”, tregon ai.
Ana e Malit përfshihet në zonën e Nën Shkodrës, një nga zonat me traditë në prodhimin e misrit, por edhe të perimeve. Ajo është goditur vitet e fundit nga përmbytjet e njëpasnjëshme, që kanë dëmtuar prodhimin bujqësor, por edhe ekonominë e mijëra banorëve të kësaj zone.