Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Menaxhmenti i Trepçës ka dhënë si afat ditën e sotme ose të nesërmen për ekzekutimin e pagave për minatorët. Ata janë pa paga thuajse tash e tre muaj, raporton Express.
Kjo vjen pas ndarjes së mbi 4 milionë eurove nga Qeveria e Kosovës. Nga menaxhmenti thonë se këto mjete do ta ndihmojnë shumë ndërmarrjen për tejkalim të krizës dhe kthimin në normalitet.
“Pagat do të ekzekutohen me datë 16.8.24 ose 19.8.24 për arsye të vikendit, deri të bëhet transferi. Numri i të punësuarve në nivel ndërmarrje është 1135 (është i përafërt, kemi shumë në listë që do të dalin në pension, disa e lëshojnë vendin e punës për të shkuar jashtë vendi etj, që mund të ketë diferenca nga muaji në muaj). Në bazë të planit të biznesit në nivel të ndërmarrjes kemi 14 mijë ton xehe. Ndërsa, ndarja e 4 milion e 14 mijë eurove nga qeveria e Republikës së Kosovës do ta ndihmojë shumë ndërmarrjen për tejkalim të krizës dhe kthimin në normalitet të ndërmarrjes”, kanë deklaruar nga ndërmarrja për RTV Dukagjinin.
Në ditën kur Qeveria mori vendim për ndarjen e mjeteve, kryeministri Albin Kurti, tha se ky vendim ka ardhur pasi Bordi i Trepçës nuk ka arritur t’i sigurojë pagat.
“Për ndërmarrjen publike Trepça do të ndajmë katër milionë euro dedikuar për mbështetje të Trepcës, në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat nga xehja e nxjerra. Duket se ka tepër shumë punëtor mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga toka”, u shpreh Kurti.