Demi Lovato ka folur si rrallë herë për arsyen që e çoi atë drejt zgjedhjes për t’u bërë këngëtare. Artistja e cila së fundmi ka pozuar për kopertinën e revistës “Hollywood Reporter” ka shpjeguar se arsyeja pse ajo u bë pjesë e Disney Channel në moshë të re ishte babai i saj, shkruajnë
mediat e huaja.
Siç tregon ajo, besonte se nëse do të kishte sukses në këtë industri do të fitonte dashurinë dhe interesin e babait të saj, i cili i kishte braktisur.
“Mendoj se një pjesë e imja ka besuar gjithmonë se nëse do t’ia dilja në industri do të merrja dashurinë që nuk e mora nga babai im”, tha këngëtarja.
Ajo më pas shtoi: “Gjithmonë e kam ndjekur suksesin, sepse e dija se do të më kthente në vështrimin e tij dhe do ta bënte atë krenar për mua”.
Madje ajo theksoi se tani që ka kapërcyer problemet psikologjike që i ka lënë mungesa e të atit, ndjen se nuk ka nevojë për industrinë e argëtimit, siç kishte më parë.
“Tani që jam marrë me këto çështje rreth babait tim, nuk kam nevojë për industrinë aq sa kam pasur dikur dhe jam krenare për veten që kam arritur deri këtu,” vuri në dukje ajo.
Babai i saj vdiq në vitin 2013 pas një beteje me kancerin dhe varësitë e tij.