Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se gjatë gjashtë muajve të fundit, në Klinikën Emergjente janë pranuar për tretman mjekësor 46,769 pacientë.
Sipas raportit gjashtëmujor të punës, nga ky numër, 4,770 pacientë janë pranuar për trajtim të mëtejmë në klinika të ndryshme internistike dhe kirurgjike.
Ndër pacientët e trajtuar, mbi 10 mijë kanë marrë shërbime në reanimacion, 15 mijë në shërbimin internistik, 7,505 raste janë trajtuar për çështje kirurgjikale, dhe mbi 10 mijë pacientë kanë marrë trajtim në shërbimin ortopedik.
Gjatë kësaj periudhe, janë kryer 636 operacione në sallat operative, dhe mbi 3 mijë intervenime në sallën e vogël të ndërhyrjeve.
Përmes investimeve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), hapësirat e Klinikës Emergjente janë nënshtruar një renovimi të plotë, me punimet që tashmë janë në fazën finale. Këto përmirësime synojnë të ofrojnë kushte shumë më të mira për pacientët dhe stafin.
Gjithashtu, ShSKUK ka përmirësuar ndjeshëm furnizimin me barna dhe material shpenzues, duke prioritizuar Kliniken Emergjente. Kjo klinikë vazhdon të trajtohet me përparësi të lartë nga Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK.
Është theksuar gjithashtu se ShSKUK, në bashkëpunim me spitalet e përgjithshme, ka marrë masa që rastet emergjente që mund të trajtohen në spitalet e përgjithshme, të mos referohen në QKUK./telegrafi/