Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Nxënësit ende nuk e dinë se si do t’i sigurojnë librat

Vendi  |  05.08.2024 Ora 8:03   

Drejtoritë komunale të Arsimit ende nuk janë informuar se si do të bëhet furnizimi i nxënësve me tekste shkollore. Kur kanë mbetur më pak se një muaj deri në fillimin e vitit shkollor, është shprehur droja se kjo situatë mund të shkaktojë probleme në nisjen e procesit mësimor. E, në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit thanë se vonesa me tekstet mund të prodhojë kërkesa tek mësimdhënësit për veprime sindikale

 
Kur kanë mbetur më pak se një muaj deri në fillimin e vitit të ri shkollor, furnizimi me tekste shkollore për nxënësit ende nuk është bërë.

Ministria e Arsimit nuk ka njoftuar as për formën sesi do të bëhet furnizimi me tekstet shkollore.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në një konferencë për media para dy jave, refuzoi të jap detaje, duke thënë se së shpejti Ministria do të dalë me njoftim publik.

Avni Morina, drejtor i Arsimit në Rahovec ka thënë se kjo situatë mund të shkaktojë vonesa në furnizimin e nxënësve me libra, si dhe parregullsi në nisjen e procesit mësimor.

“Ne obligimin e plotësimit të katalogëve e kemi përfunduar, megjithëse ka qenë një kohë e shkurtër për plotësimin e katalogëve, dhe i kemi dërguar ata katalogë, por ende nuk kemi marr asnjë informatë nga Ministria  e Arsimit sesi do të bëhet shpërndarja e tyre, a do të dërgohen nëpër shkolla apo do të gjendet ndonjë formë tjetër që ende nuk e dimë”, ka thënë Morina.

Vitin e kaluar nxënësit janë furnizuar me tekste shkollore përmes subvencionimit të prindërve.
Kjo formë është kritikuar dhe e kundërshtojnë edhe tash përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK).

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari, ka thënë se vështirësitë që mund të prodhohen, mund të nxisin kërkesa nga mësimdhënësit për zhvillimin e grevave.

“Ne kemi zëra edhe për veprime sindikale, por ne na duhet ta presim 20 gushtin kur mësimdhënësit të kthehen në shkolla, ku ne do t’i mbajmë takimet sindikale me mësimdhënësit në të gjitha shkollat dhe të shohim çka do të vendosë shumica. Nëse ata kërkojnë veprime sindikale, atëherë do të ketë edhe veprime sindikale”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka theksuar se furnizimi i nxënësve me tekste shkollore duhet të përfundojë deri më 20 gusht.

“Ne jemi kundër që kjo traditë të vazhdojë. Nuk kemi marrë ndonjë përgjigje të prerë, por ne ia kemi përsëritur kërkesën tonë që tekstet shkollore të reja që nga klasa e parë deri të nëntën të shpërndahen me kohë, të bëhen marrëveshje me shtëpitë botuese dhe tekstet t’i kemi nëpër shkolla, së paku apo më së voni deri më 20 gusht kur kolegët tanë të kthehen në shkollë dhe ne të fillojmë me ndarjen e teksteve sipas numrit të klasave”, ka insistuar Jasharaj.

Formën e blerjes së teksteve shkollore përmes subvencionimit të prindërve e kanë kundërshtuar edhe në Këshillin e Prindërve të Kosovës.

Besnik Dragusha, kryetar i Këshillit, ka thënë se ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që furnizimi me tekste shkollore të bëhet përmes tenderit të negociuar me shtëpitë botuese dhe jo përmes subvencionimit të prindërve.

“Bazuar në problemet që janë shfaqur vitin e kaluar me mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore përmes subvencionimit, ku ka pasur vonesa dhe probleme në proces, ne si Këshilli i Prindërve të Kosovës kemi kërkuar që këtë vit të bëhet sigurimi i teksteve ashtu siç është praktikuar për shumë vite, jo me subvencione. Deri më tani, nuk kemi asnjë informacion zyrtar se si do të veprohet këtë vit”, ka thënë Dragusha.

E, drejtori i Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Rahovecit ka thënë se fillimin e vitit të ri shkollor mund ta pengojë edhe çështja e katalogëve të teksteve shkollore.

Sipas Morinës, aktivitetet e shkollave nuk kanë pasur mjaftueshëm kohë të përzgjedhin se me cilën shtëpi botuese duan të punojnë gjatë vitit shkollor. 

“Nuk e dimë sigurt çfarë do të ndodhë me kërkesat e mësimdhënësve për tekste shkollore. Për atë kohë shumë të shkurtër nuk kanë pasur kohë aktivet profesionale të mblidhen dhe të përcaktojnë çfarë tekste ju nevojiten dhe në shumë raste ata katalogë janë përpiluar nga drejtorë të shkollave”, ka thënë ai.

Vitin e kaluar procesi mësimor filloi më 1 shtator, por sipas drejtorive të arsimit, disa nxënës nuk u furnizuan me tekste shkollore deri në muajin dhjetor. E Ministria e Arsimit konfirmoi se disa prindër nuk u subvencionuan deri në muajin prill. 
Vitin e shkuar, pasi nuk u arrit marrëveshje me shtëpitë botuese, Ministria e Arsimit vendosi që blerja e librave të bëhet nga vetë prindërit me subvencionim të ministrisë.

Prindërit janë subvencionuar për tekste të secilit fillorist me 80 euro, ndërsa për nxënësit e nivelit të mesëm të ulët me nga 30 euro.

Sipas ministres së Arsimit, për këtë proces janë shpenzuar mbi 11 milionë euro./koha/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing