Komediania, aktorja, këngëtarja dhe modelja, Erica Ash, ka vdekur në moshën 46-vjeçare.
Ajo ishte më e njohur për “MadTV”, “Survivor’s Remorse”, “The Big Gay Sketch Show” të Rosie O’Donnell dhe serialin e Kevin Hart, “Real Husbands of Hollywood”.
“Pas një beteje të gjatë me kancerin, ajo ndërroi jetë e rrethuar nga të dashurit e saj”, thuhet në një deklaratë nga familja.
“Erica ishte një grua e mahnitshme dhe artiste e talentuar që preku jetë të panumërta me zgjuarsinë e saj të mprehtë, humorin dhe dëshirën e vërtetë për jetën. Kujtimi i saj do të jetojë përjetësisht në zemrat tona”, thuhet më tej.
Ash e filloi karrierën e saj në skenë me këngë duke përfshirë “Baby It’s You”.
Erica ka lindur më 19 shtator të vitit 1977, në Florida.
Ajo u diplomua në Universitetin Emory. Pas Emory, ajo u zhvendos në Japoni, ku ndoqi një karrierë si modele, këngëtare dhe aktore.
Ishte e njohur gjithashtu në rrjetet sociale, ku foli për politikën dhe për shumë çështje të tjera.