Supermodelet amerikane, motrat Bella dhe Gigi Hadid, kanë dhuruar një milion dollarë për të mbështetur përpjekjet për ndihmë ndaj palestinezëve, raportoi të dielën BBC-ja.
Një përfaqësues i Bellas ka njoftuar se paratë janë caktuar për shpërndarje të barabartë midis katër organizatave humanitare që kanë në fokus fëmijët dhe familjet e prekura nga konflikti në Gazë.
Motrat, babai i të cilave është manjati palestinez Mohamed Anëar Hadid, kanë qenë të zëshme në mbështetjen e tyre për njerëzit e prekur.
Në një postim në Instagram në maj, Bella ka thënë se ishte shumë e prekur nga humbjet e popullit palestinez dhe mungesa e ndjeshmërisë që vjen nga sistemet qeveritare në mbarë botën.
Donacionet vijnë pas një serie fotografish të modeles në Festivalin e Filmit në Kanë muajin e kaluar, ku u shfaq me një fustan kuq e bardhë të bërë nga pëlhura tradicionale arabe që lidhet me kulturën palestineze.
Ajo shkroi se ishte "një mënyrë e bukur për të përfaqësuar historinë, dashurinë, qëndrueshmërinë dhe më e rëndësishmja, artin e qëndisjes historike palestineze".