Departamenti i Drejtësisë në SHBA ka ndërmarrë një hap për të riklasifikuar kanabisin si një substancë më pak të rrezikshme - reforma më e madhe e drogës në mbi 50 vjet.
Presidenti Joe Biden e përshëndeti këtë hap si "një lëvizje të rëndësishme drejt korrigjimit të padrejtësive të vjetra".
Kjo është një kthesë për një politikan që tri dekada më parë hartoi një ligj të ashpër për krimin që tani është politikisht i diskutueshëm.
Por kjo mund të ndihmojë Bidenin, një demokrat, të forcojë mbështetjen mes votuesve të rinj në një vit zgjedhor.
Plani i së enjtes nuk legalizon plotësisht marijuanën për përdorim rekreativ siç është ligji në 24 shtete të SHBA-së dhe Distriktin e Kolumbias. Tridhjetë e tetë shtete të SHBA-së gjithashtu kanë legalizuar marijuanën për qëllime mjekësore.
Administrata e Bidenit propozon ta zhvendosë marijuanën nga një substancë e kontrolluar e Kategorisë I, në Kategorinë III.
Qeveria federale nuk do ta shohë më drogën përkrah substancave të tjera të rrezikshme dhe që shkaktojnë varësi si ekstazia, heroina dhe LSD.
Droga në Kategorinë III shihet si me rrezik të ulët ose të moderuar të abuzimit. Ato përfshijnë steroidet anabolike, ketaminën dhe testosteronin.
Riklasifikimi mund të stimulojë industrinë legale të kanabisit duke mundësuar qasje më të lehtë në shërbimet bankare tradicionale dhe investimet e jashtme.
Kjo lëvizje mund të japë gjithashtu një shtysë të rëndësishme për presidentin ndërsa ai përpiqet të mbledhë votuesit e rinj dhe të minoriteteve për rizgjedhjen e tij.
Si senator, Biden hartoi një ligj për krimin në 1994 që shpesh fajësohet për burgosjet masive, kryesisht të njerëzve me ngjyrë, për shkelje të ligjit të drogës.
Si kandidat në 2020, Biden premtoi të dekriminalizonte përdorimin e kanabisit dhe tha se nuk besonte se dikush duhet të jetë në burg për posedim të thjeshtë ose përdorim në shkallë të vogël.
Por ai vazhdon të kundërshtojë legalizimin e plotë. Administrata e tij ka dhënë dy raunde faljesh masive për njerëzit me dënime federale për posedim të kanabisit.
Propozimi i së enjtes fillon një proces të gjatë miratimi, duke filluar me një periudhë komentesh publike 60-ditore, para se ndryshimi të hyjë në fuqi.