Albumi i ri i Taylor Swift “The Tortured Poets Department” duket se ka rrjedhur online, një ditë para daljes zyrtare në treg.
Kjo ka bërë që fansat e saj të entuziazmohen së tepërmi, raporton BBC.
Shumë njerëz i kanë shpërndarë këngët në rrjetet sociale, derisa shumë prej tyre theksonin se ato vijnë nga një link në Google Drive, i cili përmban listën me komplet 17 këngët e albumit.
Ndërsa disa fansa mezi kishin pritur që kjo të ndodhte, të tjerë këmbëngulën se fansat e vërtetë do të presin publikimin zyrtar të premten.
Këngëtarja amerikane ka bërë të ditur për albumin e saj të 11-të gjatë ceremonisë së “Grammy Awards” që u mbajt në shkurt. Albumi është koleksioni i saj i parë me materiale krejtësisht të reja që nga albumi i saj i fundit “Midnights” i tetorit të vitit 2022.
Ardhja e një albumi të ri është pritur shumë nga komuniteti i fansave të saj, pasi kjo do të thotë se do të ketë materiale të reja për t'i shtuar turneut të suksesshëm të yllit “Eras”, i cili godet Evropën këtë verë.
“Midnights”, i cili përmbante këngët Anti-Hero, Bejeweled dhe Karma, gjithashtu doli në internet përpara datës së lëshimit. Por rrjedhja nuk i dëmtoi perspektivat komerciale të Swiftit, dhe albumi shiti 1.6 milionë kopje në javën e tij të parë në SHBA.
Me “Midnights” Swifti arriti të rrëmbente çmimin për albumin e vitit në Grammy, duke e bërë këngëtaren personin e parë që fitoi të njëjtin çmimin katër herë.
Në fillim të këtij muaji, Swift iu bashkua Elon Muskut si një nga njerëzit më të pasur në botë, sipas një liste të re të të pasurve.
Ylli i popit hyri për herë të parë në listën e miliarderëve të Forbes në botë me 1.1 miliardë dollarë pasuri.