Marka e modës Balenciaga ka prezantuar funde për të dy gjinitë, të frymëzuara nga peshqirët në koleksionin e ri për pranverën e vitit 2024.
Siç raporton
Business Insider, çmimi i kësaj veshjeje të pazakontë është 925 dollarë (rreth 852 euro), ndërsa brendi i njohur ka bërë të ditur se porositë mund të bëhen përmes faqes së tyre të internetit.
Në fotografitë promovuese, mund të shihet modeli i veshur me një peshqir të mbështjellë rreth belit me pantallona të gjera poshtë. Për pjesën e sipërme të këtij kombinimi mode, ai ka veshur edhe një bluzë të zezë me mëngë të gjata, të cilën e ka kompletuar me syze dielli.
Është interesant fakti që Balenciaga befason çdo herë me koleksionet e saj, ku shpesh mund të shohim veshje shumë të shtrenjta që duken të rrënuara dhe të pista, por të frymëzuara nga fetishët.
Pasi prezantimit të modelit të ri të veshjes, në rrjetet sociale vazhdojnë të vërshojnë komentet. Madje disa kompani që shesin peshqirë vendosën të bëjnë shaka duke thënë se shesin funde të markës së njohur, por me çmime më të ulëta.