Kur një marrëdhënie është e re, të dy po e shihni botën me syze ngjyrë rozë. Gjithçka është e freskët dhe e re. Ndërsa shikoni njëri-tjetrin, shihni dikë që është emocionues dhe i përsosur. Edhe bota përreth jush duket më e ndritshme dhe më e lumtur sesa përpara se të gjenit njëri-tjetrin.
Në atë fazë të një marrëdhënieje, është e lehtë të thoni gjëra të dashura njëri-tjetrit. Këto fjalë të ëmbla vijnë natyrshëm kur jeni bashkë, dhe më pas me mesazhe ose telefon në të gjitha orët e ditës dhe të natës kur nuk jeni pranë.
Me kalimin e kohës, megjithatë, gjërat fillojnë të ndryshojnë. Sfidat ndodhin, shfaqen të metat. Syzet me ngjyrë rozë hiqen dhe del në pah realiteti. Kjo ndodh kur dashuria fillon paksa të ndryshojë formë.
Në këtë fazë më të vendosur të dashurisë (në mënyrë ideale, pjesa më e gjatë e marrëdhënies suaj), të thuash gjëra të dashura ndaj njëri-tjetrit kërkon pak më shumë përpjekje. Dashuria kërkon më shumë përpjekje, por praktika e bën të përsosur! Derisa i përballoni stuhitë së bashku në jetë, ju zhvilloni një dashuri dhe vlerësim më të thellë për njëri-tjetrin se kurrë më parë.
Një prej gjërave më të mira që mund të bëni për martesën ose marrëdhënien tuaj, është të praktikoni t’i thoni këto fraza të thjeshta që i sugjeron VerywellMind sa më shpesh që të jetë e mundur:
Dukesh shumë bukur – Me kalimin e moshës, komplimentet mund të kenë më shumë rëndësi se kurrë, pasi rrudhat dhe kilogramët e tepërt priren të rriten çdo vit që kalon. Shikoni për pozitiven dhe mos u frenoni. Me thënie të tillë, partneri do ta dijë se ende shijoni bukurinë e tyre të jashtme dhe të brendshme.
Faleminderit – Pasi një çift ka qenë bashkë për një kohë, është normale që ta marrin njëri-tjetrin si të mirëqenë. Ne presim që partneri tjetër ta përmbushë rolin e vet pa pyetur dhe pa vënë re se kur e ka kryer si duhet. Andaj, kur thoni ‘faleminderit’, në të vërtetë nënkuptoni: “Unë vlerësoj gjithçka që bën për mua”.
Mendoj se je i/e mrekullushëm/me – Kur zgjedhim të jemi me dikë për shumë vite, mendojmë se personi tjetër duhet të dijë me magji se çfarë mendojmë për të. Është koha për t’i shprehur ato mendime. Me këtë frazë, ajo që thoni në të vërtetë është: “Unë mendoj se je një person i mirë dhe më pëlqen të jem me ty”.
Unë të dua gjithsesi – Kur partneri bën një gabim, mund të jetë e vështirë për të dy. Por, ajo që thoni në atë moment do të ketë një ndikim të qëndrueshëm në marrëdhënien tuaj. Duke e lënë partnerin të kuptojë se pavarësisht nga gabimi, do ta doni – e plotësoni nevojën për të dëgnuar se jemi të dashur, pavarësisht se ndonjëherë do të bëjmë zgjedhje të këqija ose do të bëjmë gjëra të gabuara.
Do ta tejkalojmë – Të përballosh stuhitë e jetës, mund të nënkuptojë shumë gjëra për çiftet: durimi i një vdekjeje, kalimi i vështirësive financiare, humbja e një pune, çështje të mëdha shëndetësore dhe shumë më tepër. Gjëja e rëndësishme është të siguroheni që partneri juaj ta ndiejë dashurinë tuaj gjatë situatave të rënda.
Po, do të më pëlqente – Ndoshta nuk ju pëlqen kinemaja ose nuk jeni të pasionuar për ngjarjet sportive. Por, nëse personi juaj i rëndësishëm i pëlqen këto gjëra, atëherë është koha për ta treguar mbështetjen tuaj dhe të bëni çfarë i pëlqen partnerit tjetër.
Të kuptoj – Kur dashuria maturohet, bashkëshortët me të vërtetë njihen me njëri-tjetrin, brenda dhe jashtë. Ne shikojmë njëri-tjetrin dhe i vëmë re gjërat me kalimin e kohës. Është një ngushëllim të dini se dikush të kupton pa pasur nevojë t’i shpjegoni ndjenjat tuaja. Kjo lidhje është thelbësore për dashurinë dhe martesën e qëndrueshme.
Çfarë mund të bëj për ty? – Një nga përkufizimet më themelore të dashurisë është vënia e nevojave të tjetrit përpara tonave. Mund ta kemi vërtet të lehtë për ta bërë këtë për fëmijët tanë, por ndonjëherë harrojmë ta bëjmë për partnerin tonë.
Jam këtu për ty – Një nga pjesët më të mira të të qenit çift është të kesh gjithmonë dikë për t’u mbështetur. Kujtojani bashkëshortit/es se ai ose ajo mund të mbështetet gjithmonë te ju. Të qenit partnerë do të thotë që jeni të barabartë dhe të qëndroni për njëri-tjetrin dhe të keni gjithmonë mbështetjen e njëri-tjetrit.
Të dua – Kaq e thjeshtë, por shumë shpesh e anashkaluar: Këto dy fjalë duhet t’ia thoni partnerit çdo ditë. Ata konfirmojnë kujdesin dhe përkushtimin tuaj.
Për fund… Mos lejoni të kalojë një ditë pa i thënë gjëra të tilla dashurie partnerit tuaj. Gjithmonë sigurohuni që personi u dashur të ndihet i vlerësuar, i vlefshëm dhe i sigurt me ju. Zgjidhni disa nga këto fraza të shkurtra për t’i thënë çdo ditë dhe së shpejti do të ndiheni më të dashur për njëri-tjetrin.