Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

SHSKUK-ja pranon se njoftoi rrejshëm se furnizimi me barna ishte 100% në gjashtë muajt e parë

Të Tjera  |  19.10.2023 Ora 20:17   
Në dy raporte të këtij viti të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, atë të tremujorit të parë dhe të dytë të punës, është thënë se furnizimi me barna e material shpenzues ishte rreth 100 për qind në bazë të kërkesave të klinikave.

Pra, në bazë të kësaj, në klinika të SHSKUK-së nuk mungonte asgjë për nevoja të pacientëve.
“Përqindja sipas furnizimit me barna bazuar në kërkesa janar-qershor 2023. Në QKUK për produkte farmaceutike 99 për qind, për material shpenzues 100 për qind”, thuhet në raport.

Për më shumë në raport është konstatuar se nuk ka mungesë të barnave, porse ka keqplanifikim.

“Sipas të dhënave në tabelë, përqindja e furnizimit me produkte farmaceutike dhe material shpenzues për njësitë e SHSKUK-së sipas kërkesës është më e lartë në krahasim me planifikimin e paraparë. Ky dallim i furnizimit mes planifikimit dhe kërkesës me produkte farmaceutike dhe material shpenzues mund të jetë mospërditësimi i kërkesave në planifikim joreal nga nevoja e institucioneve të SHSKUK-së”, thuhet tutje në raport.

Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi, në dy mbledhjet e fundit të Bordit të këtij institucioni i ka ngritur si çështje këto statistika.
“Sa i përket furnizimit me barna ka pasur reagim edhe nga vetë drejtori i përgjithshëm në mbledhjet e vazhdueshme të Bordit, i cili ka theksuar se nuk e ka gjetur gjendjen e mirë në furnizim me barna dhe nuk qëndron furnizimi i deklaruar më herët në media”, thuhet në një përgjigje të Zyrës së Drejtorit të SHSKUK-së.

Aktualisht në spitalet e Kosovës ka mungesa të llojeve të ndryshme të barnave.

Drejtoresha e Barnatores Qendrore, Dardane Mehaj, ka deklaruar se ka ndryshuar mënyra e raportimit të furnizimit me barna, duke i llogaritur edhe ato për të cilat ka nevojë, por që nuk janë siguruar. Ajo ka sqaruar arsyet më të shpeshta për mungesat.
“Raportimet në bazë të kërkesave të klinikave gjithmonë janë në përqindje më të madhe, por pavarësisht kësaj raportimi i furnizimit në bazë të planifikimit të Listës Esenciale është përqindje e cila raportohet tash e tutje. Duhet të ceket që furnizimi ka disa hallka zinxhirore dhe haset në vështirësi edhe për shkak të shumë problemeve që i hasim gjatë rrugës, duke përfshirë legjislacionet aktuale në fuqi, organet shqyrtuese të prokurimit, mungesa e shumë barnave që nuk janë në tregun e Kosovës, produkteve që nuk kanë Autorizim Marketingu, vonesave në liferime, transportit e të tjera”, ka theksuar Mehaj.

KOHA javën e kaluar ka biseduar me pacientë, të cilët janë ankuar për mungesë barnash.

“Deri qetash kemi ble goxha shumë barna. Nuk e di saktë, por boll. Çdo ditë”, ka thënë Fitim Gashi, familjar i një pacienti.
E në disa raste të tjera, ekipi i KOHËS ishte dëshmitar se si familjarët afroheshin deri afër sallave të operacionit me qeset e mbushura me material e produkte mjekësore të domosdoshme për ndërhyrje, e që klinikës i mungonin.
 

Komentet

Marketing

 

Tjera në Të Tjera

Marketing