Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Muaji i modës ka filluar nga 8 shtatori dhe do të zgjasë deri më 3 tetor. Të gjithë fashionistët do të jenë sy e vesh te koleksionet që do të prezantojnë disenjatorët e njohur.
Për këtë vit në qendër të vëmendjes janë: Sabato De Sarno me koleksionin e tij të parë për “Guccin”, Peter Hawkings me debutimin e tij në markën “Tom Ford”, Peter Do në “Helmut Lang” dhe Phoebe Philo me koleksion personal debutues.
Si gjithmonë java e parë e modës nis në New York. Gjithsej do të jenë 69 sfilata mode, njëra prej tyre i dedikohet rikthimit të Ralph Lauren në qytetin që nuk fle kurrë. Lauren solli frymën e një bari “Polo” në oborrin e marinës së Brooklyn. Me këtë koleksion disenjatori solli romancën, konfidencën dhe modernen në stilin e një gruaje.
Në “Koleksionin pranveror 2024” nga Ralph Lauren dominonte materiali i xhinsit i kombinuar me këmisha nga materiali lino, veshjet ishin të pikturuara me lule të bardha, të kaltra dhe ari. Sfilata ndërroi dinamikë kur u shfaqën modele të veshura në ngjyrë ari dhe të zezë. Ngjyra ari u shfaq në bluza, sako dhe funde. Shfaqja u përmbyll me veshje me ngjyra.
Një tjetër sfilat që mblodhi shumë fytyra të njohura të modës ishte “Dion Lee”. Edhe në këtë koleksion dominuan materiali i xhinsit dhe lëkura, por të punuara në një formë shumë urbane. Detaje interesante ishin mjetet e punës si aksesorë në veshje.
“Khaite” është një tjetër brend që po pëlqehet nga të gjithë. Për publikun marka prezantoi në video 11-minutëshe triller, në sy binin 44 personazhet dramatike, por të veshura shumë “shik”.
Edhe Michael Kors ndryshoi dinamikën në Brooklyn duke sjellë stilin nga Capri i Italisë. Për disenjatorin ishte e rëndësishme të sillte frymën e udhëtimeve dhe pushimeve, pasi që ai vetë gjeti inspirim në rrugët e Caprit gjatë pushimeve. Disenjatori e lidhi ngushtë koleksionin e tij edhe me ikonën Jane Birkin, duke e komentuar stilin e saj që gjithmonë vishej me këmisha dantelle dhe të shkurtra. Nuk munguan as aksesorët ngjyrë ari, të cilët sillnin frymën e viteve ‘60 dhe ‘70.