Fëmijët me indeks të lartë të masës trupore (BMI) janë në rrezik më të madh për zhvillimin e depresionit më vonë gjatë jetës – tregon një studim i ri i realizuar nga King’s College në Londër.
Sipas
Daily Mail, mbipesha mes moshës 12 dhe 16 vjeçare ka pasur ndikimin më të madh në zhvillimin e depresionit.
“Të kuptuarit e marrëdhënies midis sëmundjes mendore dhe peshës në adoleshencë, është çelësi për të ofruar mbështetje në kohë aty ku është e nevojshme. Ky studim na tregon drejtpërdrejt lidhjen midis një BMI më të lartë në moshën 12 vjeçare dhe simptomat pasuese të depresionit në jetën e mëvonshme”, është shprehur Dr Ellen Thompson.
Ndërsa Thalia Eley, profesoreshë e gjenetikës së sjelljes zhvillimore, ka shpjeguar se ky studim tregon qartë se adoleshenca e hershme është një pikë kritike për zhvillimin e simptomave depresive të lidhura me shtimin në peshë.
“Puna me adoleshentët në fushën e perceptimit të bukurisë fizike është e një rëndësie të madhe. Kjo do të thotë se koncepti i bukurisë fizike duhet të ripërcaktohet për të rinjtë, ndërsa fokusi kryesor duhet të jetë në gjendjen psikologjike të fëmijës”, është shprehur ajo.