Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Ishulli i qetësisë ku makinat janë të ndaluara dhe koha ndalon

Të Tjera  |  28.08.2023 Ora 9:05   
Ishulli grek Hidra në shikim të parë nuk duket ndryshe nga fqinjët e saj. Ashtu sikurse ishujt e tjerë në detin Egje, ka rrugë të bardha, aromë jasemini dhe pamje mahnitëse të ujërave blu përreth zonës.

Por, ajo që e veçon Hidrën nga ishujt e tjerë është mënyra e transportit tek banorët. Vendasit i kanë rezistuar zhurmës së borive, duke përqafuar tingullin e thundrave të kuajve, shkruan CNN, transmeton Telegrafi.

Këtu, mungesa e makinave nuk është një dukuri e rastësishme, pasi automjetet mbahen qëllimisht larg. Kjo për shkak se ekziston një ligj vendas që ndalon operimin e mjeteve të motorizuara brenda ishullit, përveç automjeteve të zjarrfikësve si dhe ambulancave.

Kështu, 2,500 banorët e këtij ishulli grek shëtisin me mushka, gomarë dhe me kuaj të vegjël.

Derisa endesh nëpër shtigjet e çuditshme të Hidrës, është e zakonshme të shohësh vendasit që kryejnë punë e tyre të përditshme, duke lëvizur me kuaj.

Nga Kaminia, një fshat i qetë në vijën bregdetare jugore i stolisur me shtëpi tradicionale prej guri, në Mandraki i shtrirë në brigjet perëndimore të ishullit, i njohur për ujërat e pastra dhe atmosferën e qetë, ishulli është i ndërthurur me praninë e tyre.

“Hydra është një ishull që të kthen vërtet pas në kohë”, thotë Harriet Jarman, pronare e kompanisë së transportit me kuaj, “Harriet’s Hydra Horses”.

“I gjithë transporti në këtë ishull bëhet me kuaj ose mushka. Për shkak se nuk ka makina, jeta e të gjithëve është pak më e qetë”.

Pa makina
 

Lidhja e Jarman me ishullin Hidra filloi 24 vjet më parë kur nëna e saj e solli në ishull me pushime, duke çuar në një vendim për t’i ndryshuar jetën duke e bërë Hidrën shtëpinë e tyre të përhershme.

Një dekadë më vonë, gjatë krizës ekonomike të Greqisë, Jarman u përball me presionin për ta shitur kalin e saj të dashur, Chloe.

E vendosur për ta mbajtur me doemos, ajo vendosi të krijojë biznesin e saj të ecjes me kuaj, një sipërmarrje që jo vetëm arriti ta mbante kalin e saj, por ia bëri të mundur asaj të ndante dashurinë e saj për peizazhet e ishullit.

“U lodha me të gjithë ata që më thoshin ta shes kalin, pasi ishte shtrenjtë për ta mbajtur”, kujton ajo. “Mendova, në rregull, do t’u tregoj njerëzve arsyet pse dua të qëndroj në ishull”.

Ajo ka përsipër një grup prej 12 kuajsh, me turne udhërrëfyes nëpër shtigjet e ishullit të udhëhequr nga kalorës me përvojë.

Me këto shëtitje njerëzit mund të vizitojnë manastiret e shumta të çuditshme dhe plazhet piktoreske të Hidrës. Kalorësit mund të bëjnë edhe not freskues së bashku me kuajt.

Një trashëgimi e gdhendur në gjurmë thundrash
 

Vendimi për të përqafuar transportin tradicional me kuaj, përkon me trashëgiminë e pasur të ishullit dhe angazhimit për jetesë të qëndrueshme.

Gjatë shekujve 18 dhe 19, Hidra lulëzoi si një qendër detare me plot lëvizje. Por me ardhjen e shekullit të 20-të, duke sjellë transportin me motor në pjesën tjetër të Greqisë, rrugët e ngushta dhe të pjerrëta të ishullit, së bashku me terrenin shkëmbor, i bënë makinat jopraktike për t’u qarkulluar.

Dhe kështu banorët u kapën pas transportit të kuajve.

Me kalimin e kohës, kjo mënyrë transporti u rrënjos në kulturën dhe mënyrën e jetesës së Hidrës.

Gomarët dhe mushkat u bënë pjesë integrale e identitetit të ishullit dhe u përdorën për të transportuar mallra dhe materiale ndërtimi, përveç kësaj shërbyen edhe si mjet transporti nga njerëzit – një traditë që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Një parajsë artistike


Elena Votsi

Mungesa e makinave ka kontribuar në qetësinë e pamohueshme të ishullit, duke tërhequr krijues nga të gjitha anët, duke përfshirë aktoren e njohur italiane Sophia Loren, e cila ra në dashuri me Hidrën gjatë xhirimit të filmit “Boy on a Dolphin” në vitin 1957.

“Hidra ofron ngjyra të mrekullueshme, dritë të bukur dhe një atmosferë unike që ka frymëzuar shumë njerëz”, thotë stilistja e bizhuterive dhe vendasja, Elena Votsi.

E njohur për punën e saj që ndërthur mjeshtërinë tradicionale me estetikën moderne, Votsi merr frymëzim nga prejardhja e saj greke, si dhe nga natyra dhe gjeometria.

Edhe pse e lindur në Athinë, Votsi thotë se kalonte verën dhe pushimet në Hidra, kur vizitonte të atin.

Ajo thotë se mungesa e makinave e bën atë një vend magjik për të punuar dhe ka frymëzuar dizajnet e saj që në fillimet e karrierës së saj.

“Dielli, shkëmbinjtë dhe dallgët më kanë frymëzuar mua. Bukuria natyrore dhe veçantia e ishullit kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në procesin tim krijues”, tha Votsi.

Në vitin 2003, ajo u ftua të merrte pjesë në një konkurs për të ridizajnuar medaljen e Lojërave Olimpike Verore për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Me të marrë ftesën për të konkurruar, Votsi u drejtua për në shtëpinë e saj në Hidër. Ishulli, me sharmin e tij të pashprehur, shërbeu për të si një muzë, duke nxitur një udhëtim krijues që do të bënte për ta fituar këtë konkurs dhe bëri që emri i saj të futet në rekordet e ngjarjeve sportive më të njohura në botë.

Shumë artistë të famshëm kanë vizituar ose kanë jetuar në këtë ishull. Sharmi i ishullit ka tërhequr piktorët Brice Marden, Alexis Veroucas, Panagiotis Tetsis, Nikos Hadjikyriakos-Ghikas dhe John Craxton, si dhe autorin Henry Miller, secili duke gjetur frymëzim mes peizazheve të tij të qeta.

Kantautori kanadez Leonard Cohen e zbuloi Hidrën në vitet 1960 dhe e bëri shtëpi për disa vite. Koha e tij në Hidra është përjetësuar në këngën e tij “Bird on the Wire”, të cilën ai e shkroi pjesërisht kur jetonte atje.
“Hidra është një parajsë. Është një vend magjik për të punuar dhe një bekim që mund të vij këtu si artiste, siç kanë bërë shumë të tjerë para meje dhe do të vazhdojnë të bëjnë”, potencoi Votsi. /Telegrafi/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Të Tjera

Marketing