Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Një aeroplan vëzhgues kanadez ka kapur zhurma nën ujë, ndërsa kërkimi masiv për nëndetësen “Titan” të zhdukur të dielën po vazhdon, raporton agjencia “AP”.
Nëndetësja e vogël me pesë persona në të u zhduk, ndërsa po shkonte poshtë në një ekspeditë te rrënojat e anijes Titanic .
Në deklaratën e Rojave Bregdetare të SHBA-së nuk është elaboruar se çfarë mund të jenë zhurmat e dëgjuara nën det, ndonëse është rritur shpresa për të gjetur gjallë ata që janë në nëndetëse.
Llogaritet se ka oksigjen edhe pak më tepër se një ditë, nëse nëndetësja është ende duke funksionuar.
Ndërkohë, pyetjet mbeten se si ekipet e shpëtimit mund të arrijnë te nëndetësja e zhdukur, nëse gjendet ajo. Nëndetësja mund të jetë deri 3800 metra në thellësi.
Ndërkohë raportohet se ka pasur paralajmërime të dukshme për sigurinë e nëndetëses, para se ajo të zhdukej.
Në mesin e të zhdukurve është edhe drejtuesi Stockton Rush, shefi ekzekutiv i kompanisë “OceanGate”, që drejton këto ekspedita.
Roja Bregdetare e SHBA-së ka shkruar në Twitter se aeroplani kanadez P-3 Orion ka zbuluar “zhurmë nën ujë në zonat ku po zhvillohet kërkimi”.
Më pas është dërguar një robot nënujor në atë zonë për të kërkuar. Mirëpo, ende nuk kanë sjellë kërkimet ndonjë rezultat, por po vazhdojnë.
Është raportuar se janë dëgjuar zhurma në atë zonë çdo 30 minuta./koha/