Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Yjet nga fusha e modës, sportit, muzikës dhe filmit, parakaluan nëpër shkallët e famshme të muzeut ku tradicionalisht organizohet ngjarja glamuroze “Met Gala” në New York.
Ngjarja e sivjetme kishte për qëllim ta nderojë ikonën e modës, Karl Lagerfeld, i cili vdiq në vitin 2019.
Lista e të ftuarve përfshinte emra të mëdhenj të showbizit, si Nicole Kidman, Salma Hayek, Rihanna, Naomi Campbell, Viola Davis, Billie Eilish, Kristen Stewart, Margot Robie, Gigi Hadid dhe shumë të tjerë. Po ashtu, shkëlqim dhe glamur ngjarje si sollën edhe tri këngëtare me prejardhje shqiptare dhe famë botërore, Dua Lipa, Rita Ora dhe Ava Max.
Mbi qilimin e kuq, ylli i muzikës pop, Dua Lipa u pyet se çfarë rëndësie kanë pasur për të dizajnet e Karl Lagerfeldit, me ç’rast ajo tha: “Trashëgimia që ai ka lënë pas ka ndikuar shumë në botën e modës në përgjithësi, dhe thjeshtë ai ka rrëfyer histori të rëndësishme me të gjitha kreacionet nga shtëpitë e modës ku ka punuar, si ‘Chloe’, ‘Fendi’ dhe ‘Chanel’. Kudo ku ai ka lënë gjurmë ka qenë i jashtëzakonshëm. Dhe ai është një person që nuk do të harrohet kurrë”.
Dua dukej mahnitëse me fustanin 30 vjet të vjetër të cilin Karl Lagerfeld e krijoi një vitin 1992 për shtëpinë e modës “Chanel”, dhe qaforen prej diamanti në vlerë prej 10 milionë dollarësh.
“Ky fustan është nga koleksioni i Lagerfeldit të cilin e krijoi për shtëpinë e modës ‘Chanel’ në vitin 1992. Është një kreacion shumë special dhe i rëndësishëm për ‘Chanelin’. Prandaj ndihem e nderuar që pata rastin ta veshi atë sonte. Kjo është një ëndërr e shndërruar në realitet. Ky fustan më pëlqen shumë dhe po ndihem shumë me fat që kam mundësinë ta veshi atë”.
“Qaforja ime prej diamanti është nga marka ‘Tiffany’ dhe është një model shumë special. Ai nuk është ekspozuar më parë. Ata e kanë nxjerrë nga kasaforta enkas për mua sonte. Është një diamant prej më shumë se 225 karatësh, çka më duket një çmenduri e vërtetë që kam rastin ta mbajë në qafë gjatë kësaj mbrëmjeje. Por, po ndihem shumë me fat dhe falënderuese për këtë”.
Në këtë edicion të “Met Gala, ylli botëror i muzikës me prejardhje kosovare e pati nderin të shërbejë si bashkëkryetare e ngjarjes më të rëndësishme të modës në botë. Lipa ishte në mesin e personaliteteve të famshme që ndihmuan në organizimin e ngjarjes glamuroze si aktoret, Penelope Cruz dhe Michaela Coel, lojtari i tenisit Roger Federer dhe natyrisht, redaktorja e famshme e revistës “Vogue”, Anna Wintour.
Në anën tjetër, Rita Ora e rrëmbeu gjithë vëmendjen e fotografëve të mbledhur përreth qilimit të bardhë, duke pozuar e veshur me fustanin e disenjatorit, Prabal Gurung. Veshja e saj megjithëse paksa ekspozuese, i vuri në pah linjat e mrekullueshme trupore të Ritës, e cila shquhet si artiste e cila ka guxim të madh kur bëhet fjalë tek stili i modës. Hijeshi këngëtares i solli edhe bashkëshorti i saj, regjisori Taika Waititi, i cili e shoqëroi në këtë ngjarje i veshur me një xhaketë të gjatë gri, pantallona të bardha dhe një zinxhir me perla.
Shumica e artistëve të pranishëm e kishin respektuar temën e këtij edicioni të “Met Gala”, duke rikthyer fustane të vjetra të dizajnuara nga Lagerfeldi, si Nicole Kidman, Gisele Bundchen, Penelope Cruz dhe Dua Lipa. Kurse të tjerët e kishin nderuar disenjatorin ikonik qoftë duke i veshur ngjyrat e tij të preferuara, bardh dhe zi, apo duke i përdorur materialet e tij të zakonshme, si lëkura e zezë, perlat, kostumet me prerje të theksuara dhe të stolisura me gurë shkëlqyes, dorezat apo syzet e zeza dhe të tjerë.
Kurse, artistja Doja Cat, i befasoi të gjithë duke u shfaqur mbi qilim të bardhë e veshur me një fustan të ngushtë me burë, dhe fytyrë të maskuar si mace, duke e nderuar macen e dashur të Lagerfeldit, Choupette. Kjo e fundit u nderua edhe nga aktori dhe këngëtari, Jared Letto, i cili u shfaq i mbuluar me kostumin unik në formë të maces.
Sigurisht se të pranishme në “Met Gala 2023” ishin edhe tri prej motrave Kardashian/Jenner, Kim, Kendall dhe Kylie. Krahasuar me vitet e kaluara, Kim dhe Kylie, nuk është se e rrëmbyen vëmendjen me zgjedhjet e tyre. Kurse, Kendall, e cila edhe ka bashkëpunuar për së afërmi me Karlin, e nderoi atë me veshjen ekstravagante dhe me jaka të bardha, të cilat kanë qenë karakteristikë e kamotshme e disenjatorit.
Ndër të mysafirët e fundit që parakaluan mbi qilimin e shtruar në New York ishte këngëtarja, Rihanna, e cila është në pritje të fëmijës së dytë. E veshur e tëra në të bardha, Riri guxoi shumë me fustanin e saj, të shoqëruar me një xhaketë të fryrë me forma të luleve. Dukjen e kompletoi me disa qafore me diamante dhe perla, si dhe buzëkuqin klasik që e shoqëronte shkëlqimin e saj nga shtatzënia.
Me ngjarjen e sivjetme “Met Gala” u hap edhe ekspozita e titulluar, “Karl Lagerfeld: A Line of Beauty”, e cila gjurmon karrierën e modës të disenjatorit të ndjerë gjatë dekadave dhe shfaqë shumë nga skicat dhe dizajnet e tij të mrekullueshme. Ajo do të jetë në dispozicionin e publikut nga data 5 maj.
Gala e së hënës mbrëma po ashtu shërben si përkrahje e Institutit të Kostumeve në Muzeun Metropolitan të Arteve. Biletat për pjesëmarrje sivjet kanë pasur një çmim prej 50 mijë dollarësh për person. Kujtojmë se vitin e kaluar kjo ngjarje ekskluzive e modës i mblodhi më shumë se 17 milionë dollarë.