Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Gjermania prezantoi sot një biletë të re të vetme për transportin urban me tarifë fikse në vlerë të 49 eurove.
“Deutschland-Ticket” ofron qasje të pakufizuar në sistemin gjerman të autobusëve dhe metrosë, si dhe në trenat lokalë dhe rajonalë. Kjo nuk përfshin vetëm linjat e trenave me shpejtësi të lartë në distanca të gjata.
Autoritetet shpresojnë se kjo do të sjellë një lehtësim për konsumatorët në kohën kur kemi rritje të inflacionit dhe do të inkurajojë qytetarët të përdorin transportin publik me qëllim të mbrojtjes së mjedisit, raporton zdf.
Ministri i Transportit, Volker Wiesing tha se kjo është reforma më e madhe e transportit publik në historinë e Gjermanisë.
Shoqata e Kompanive Gjermane të Transportit (VDV) pret që këtë biletë do ta blejnë rreth 16 milionë njerëz dhe tashmë janë shitur rreth 750 mijë bileta.
Edhe vende të tjera evropiane po përpiqen të gjejnë mënyra për të bindur njerëzit që të përdorin më shumë transportin publik dhe më pak veturat. Mes tyre janë Spanja, Franca dhe Austria.
Në Austri, me një çmim prej 1000 euro në vit për të ashtuquajturën kartë klimatike, mund të përdorni transportin urban në të gjithë vendin.
Suksesi i kësaj nisme dërgoi në një bum të vërtetë në përdorimin e transportit hekurudhor, njoftoi operatori austriak OBB.