Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës mban në muret e tij 65 shkrepje fotografish të ndryshme. Nëpërmjet tyre vizualizohet një pjesë e trashëgimisë kulturore e Kosovës dhe e Shqipërisë.
Të vendosura kryesisht në mënyrë horizontale dhe të kornizuara me ngjyrë të zezë, në qendër mbajnë ndërtesa, demonstrime ritesh e monumente të tjera, roli i të cilave në historinë e shoqërisë shqiptare është i rendit të parë.
Pavarësisht vështirësive në të shikuar, artisti Betim Bregovina ka arritur që nëpërmjet imazheve të përjetësojë pamje të rëndësishme për historinë e një pjese të trojeve shqiptare.
Ekspozita “Të Dua”, e pesta me radhë e Betim Bregovinës, është ajo që ktheu edhe një herë në qendër monumente e peizazhe shqiptare, duke i shndërruar ato në vepra artistike. Me medium-fotografinë, shumë nga to që u zgjodhën në mundësitë e pafundme që trashëgimia shqiptare të jep, u rikthyen në një mënyrë ndryshe e të mësuarit për historinë, përtej librave dhe shkrimeve.
Vizitorët që ishin në numër të konsiderueshëm në hapjen e ekspozitës në mesditën e së hënës, qenë të habitur nga krijimtaria e Bregovinës, i cili njëherësh është autor i 11 veprave letrare. Teksa bridhnin në hapësirën e “Lapidariumit”, udhëtonin në kohë dhe vende të ndryshme, në të cilat ka nisur e është zhvilluar shumëçka që flet për shqiptarët dhe qëndresën e tyre ndër vite.
Objektet që datojnë mijëra vjet më parë, deri te ato që kanë qindra vjet e që në këtë rast duken si të reja. Pa pasur nevojë për shumë shpjegime, zgjedhja e tyre që të pasurojnë ekspozitën ishte një tregues për rëndësinë e tyre. Kështu kala, kulla, ura, vendbanime, orendi të shtëpisë, në muret e objektit ku u vendosen u bënë kryefjala. I rikthyen vizitorët në kohë të vjetra. Në fotografi përfshihen pjesë të qytetit të Prizrenit, njëherësh kryeqytet historik i Kosovës, një pjesë e kompleksit memorial “Adem Jashari” e monumente të tjera.
Shkrepjet patën rastin t’i shihnin edhe shumë nxënës të shkollës fillore “Nexhmi Mustafa”, ku Bregovina punon si psikolog. Këta nxënës dhe shumë të tjerë janë edhe audienca që synon ta arrijë autori i kësaj ekspozite. Ai konsideron se njohja me historinë dhe trashëgiminë e vendit do t’u shërbejë pos nxënësve edhe vendit në përgjithësi, në mënyrë që e kaluara të mos harrohet.
Bregovina bashkë me ekipin që i del në ndihmë, fotografitë e ekspozuara i realizoi kryesisht në muajin dhjetor të vitit që shkoi. Prej më shumë se 600 fotografive, 65 u zgjodhën për ekspozim.
“Ekspozitat e tjera kanë mundur të kenë diçka historike që nga ekspozita e parë në tetor të vitit 2003. Kjo ekspozitë ka më shumë arkeologji dhe histori faktike të objekteve, mjeteve dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore të përgjithshme të historisë dhe biografisë tonë etnike”, ka thënë ai. Ka treguar se ka dashur t’i përfshijë të gjitha objektet shqiptare të kulturës, por ishte e pamundur që kjo të bëhet në këtë projekt.
“Kryesisht pjesën e veriut të trojeve shqiptare, jo tërësisht, i kemi përfshirë. I kemi objektet kryesore në Kosovë, kemi edhe Kështjellën e Rozafës, të Lezhës dhe muzeun brenda Rozafës, që ka monumente edhe mijëravjeçare”, ka thënë Bregovina.
Ka bërë ftesë që të gjitha shkollat t’i sjellin nxënësit në këtë ekspozitë.
“Jo për egon time si artist autodidakt ose si një person që po synon të hyjë në botën e artit, por më shumë që ata të kenë një edukim për trashëgiminë tonë kulturore. Objektet e fotografuara janë nga 100 vjet deri në 5.000 vjet të vjetra. Kështu që secili ka histori të veçantë dhe fotografia flet shumë. Vizualizimi flet shumë”, ka thënë ai.
Ani pse puna e tij me ekspozitën u realizua shumë shpejt, ideja për të pasur të përmbledhura shumë monumente historike lindi kur ai ishte veç një fëmijë.
“Ideja për ta realizuar ekspozitën ka lindur në një mënyrë të paqartë në fëmijëri. Diku në klasën e katërt, kur e kemi mësuar një tregim për Kështjellën e Rozafës”, ka thënë Bregovina.
Nevoja për një sy gjykues të fotografive e bëri artistin të drejtohet tek ai që duket se nuk e ka kthyer prapa asnjëherë. Profesori universitar, Haki Xhakli, qe ai që Bregovina e konsideroi të duhurin për kurator.
“Janë të gjitha elemente të cilat i ka ndier Betimi që t’i vizitojë, e pastaj edhe i ka fotografuar. I ka fotografuar në këndin artistik që më kanë lënë pa fjalë, sepse një pozicion i tillë për të nxjerrë një fotografi kaq të mirë dhe artistike nuk është e lehtë. Megjithëse ai ka përcjellësin, por megjithatë dora e tij i ka nxjerrë. Të gjitha këto janë tubuar në këto punime. Kërkoi nga unë që të bëja përzgjedhjen nga 600 e më shumë fotografi. Unë i përzgjodha 65 nga të gjitha ato dhe besoj që doli një ekspozitë e nivelit të mirë”, ka thënë Xhakli.
Ndonëse piktura është ajo me të cilën njihet, Xhakli është për herën e dytë kurator i ekspozitës së Bregovinës, që dikur raporti mes tyre ishte profesor–student.
“Ai ka një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Është i interesuar edhe në fotografi. Për mua ishte interesante që ai të ishte fotograf. Megjithatë vëzhgimin e ndjenjës që ka për elementet që i vëren në natyrë e që e prekin edhe shpirtërisht ai e nxjerr nga një kënd shumë interesant fotografinë. Kjo është ekspozita e tij e dytë që unë jam kurator. Dhe me kënaqësi të jashtëzakonshme e kam pranuar detyrën e kuratorit”, ka thënë ai.
Vizitorët pos që shohin art, në këto fotografi edhe mësojnë më shumë nga historia.
“Uroj që kjo ekspozitë të mos jetë e fundit. Ku fëmijët, gjeneratat e reja, e shumë të tjerë që s’mund të marrin informata nga vendi i ngjarjes të marrin nga këtu. Unë e pashë të rëndësisë të lartë këtë ekspozitë, që i shërben shoqërisë”, ka thënë Xhevrije Osmani, që njëherësh është drejtoreshë e shkollës, që ka qenë e pranishme në hapje. Ajo e theksoi rëndësinë që kjo ekspozitë ka te nxënësit dhe jo vetëm, për të mësuar për historinë dhe për të mos e harruar atë. Ekspozita “Të Dua” do të jetë e hapur për vizitorët deri më 17 mars./koha.net/