Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Komuna do që “Gërmia” të bëhet galeri e t’i bashkohet salla koncertale

Vendi  |  13.03.2023 Ora 10:11   

Arkitekti i njohur japonez, Kengo Kuma, bashkautor i projektit fitues për sallë koncertale në ish-objektin e “Gërmisë”, ka ardhur për herë të parë në Prishtinë. Të dielën pasdite e ka takuar kryetarin Përparim Rama, me të cilin ka folur për projektin dhe vizionin e tij. Pas takimit, Kuma – i njohur si njëri prej arkitektëve më influencues në botë – ka vizituar edhe objektin i cili pritet të transformohet me projektin e tij. Por Kumas dhe partnerit të tij vendor, Bekim Ramku, u është kërkuar ta ndryshojnë projektin, sepse ka ndryshuar qasja e Komunës: ish-objekti i “Gërmisë” të bëhet galeri, e asaj t’i shtohet një sallë koncertale. Kërkesën ua ka bërë kryetari Rama

 

Gati dy vjet pasi që projekti i hartuar nga studioja e tij në bashkëpunim me staf vendor është përzgjedhur për sallë koncertale në Prishtinë, Kengo Kuma ka vizituar Prishtinën. Arkitekti japonez me nam botëror, të dielën pasdite ka arritur në kryeqytet për një vizitë rreth 16-orëshe. Pas takimit me kryetarin e kryeqytetit, Përparim Rama, Kuma tok me bashkëprojektuesin vendor të sallës koncertale, arkitektin Bekim Ramku kanë vizituar ndërtesën e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”.
 

Në prill të vitit 2021 projekti i dyshes, i titulluar “One Roof – Germia for Concert Hall” qe përzgjedhur si plani fitues i transformimit të ndërtesën në sallë koncertale. Por tash muhabeti ka ndërruar goxha.
 

Kompania e Kumas së bashku me Ramkun do të ndryshojnë projektin ideor gjatë përpilimit të planit të detajuar për sallën koncertale.

Me saktësi japoneze, Kuma në 17:20 ka qenë para Komunës së Prishtinës. Pos kryetarit Rama, atë e kanë pritur edhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Arbër Sadiki dhe një pjesë tjetër e stafit. Rama pasi i ka uruar mirëseardhje, mysafirit ia ka bërë të ditur se qasja e Komunës ndaj projektit të tij ka ndryshuar.

 

Thirrja publike ndërkombëtare për shndërrimin e “Gërmisë” në sallë koncertale qe hapur nga ish-menaxhmenti i kryeqytetit me kryetar Shpend Ahmetin. E Rama ka qenë i qartë për qasjen e re.

Ndryshimi i qasjes, pa demoluar ndërtesën aktuale

“Ideja është që të ndryshojmë qasjen. Në vend që ta përdorim ndërtesën ekzistuese për sallë koncertesh, të shikojmë nëse mund t’ia shtojmë asaj sallën koncertale, në mënyrë që vetë atë ta përdorim si galeri të qytetit e sallë multifunksionale”, ka thënë ai. Kume me qetësi ka konfirmuar se mund të veprohet kësisoj vetëm me “po”. Rama ka pasur edhe një arsyetim tjetër.

“Edhe nga perspektiva që të mos kemi nevojë të demolojmë ndërtesën aktuale”, ka thënë ai. Kuma prapë ka konfirmuar se mund të bëhet një gjë e tillë. Historia e kësaj ndërtese të viteve ’70 është e vjetër. Ajo e shndërrimit në muze të artit bashkëkohor a në sallë koncertale, ka hyrë në dekadën e dytë.
 

Juria në përbërje të Mohsen Mostafavi, Andrija Rusan dhe Han Tümertekin, profesorë të shquar të arkitekturës nga Harvardi, Zagrebi dhe Stambolli së bashku me dy përfaqësues të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, një nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, si dhe një tjetër nga Komuna e Prishtinës, kishin vendosur që në vendin e parë të renditej projekti i studios së Kumas në partneritet me arkitektin kosovar, Bekim Ramku, dhe me ekipin e inxhinierëve nga Stambolli dhe New Yorku, Ahmed Topbas dhe Akım Mühendislik. Ky projekt kishte marrë 82.42 pikë duke bërë që të shpërblehet me 50 mijë euro.
 

“One Roof – Germia for Concert Hall” nxjerr dy salla koncertale brenda objektit, përderisa fasada e jashtme e monumentit ruhet. Juria kishte vendosur që në vendin e dytë me 74.84 pikë të jetë projekti i operatorëve “Shkëlqim Osmani B.I – Vizion project, MA Studio & Partners”, që kishte shifrën 1897. Shpërblimi financiar qe 30 mijë euro. I treti është renditur projekti me operatorët “Arbër Sadiki B.I, G+A Architects” me shifrën 6969. Kishte marrë 70.12 pikë dhe shpërblimin financiar – 20 mijë euro. Pos Sadikit bashkautor është edhe Gëzim Paçarizi.
 

Te projekti i dyshes Sadiki e Paçarizi parashihet atë që ka kërkuar të dielën kryetari Përparim Rama: ndërtesa aktuale të jetë galeri e të shtohet salla koncertale.
 

Rama: Artistët vizualë duan muze, muzikantët – sallë koncertale
 

Rama i ka thënë Kumas se është kënaqësi për kryeqytetin që ta ketë një shenjë të tij e cila do të ketë ndikim në të ardhmen. Kërkesat që gjatë projektit të detajuar të veprohet ndryshe nga projekti ideor, Rama i ka arsyetuar edhe me debatin e vjetër se si duhet rifunksionalizuar ndërtesa ku deri vonë ka zënë vend një pjesë e Administratës Tatimore.
 

“Kemi komunitetin artistik ku artistët vizualë duan një muze e muzikantët që duan sallë koncertale. Por me qasjen që po them unë, mund t’i kemi të dyja. Pra, galerinë e qytetit dhe sallën koncertale. Do të ishte një trashëgimi juaja shumë e mirë për qytetin”, ka thënë ai gjatë takimit ku mysafirit i ka dhuruar një replikë të simbolit të Prishtinës, “Hyjneshën në Fron”.

Rama ka falënderuar Kuman për durimin meqenëse janë bërë gati dy vjet prej kur ka nisur procesi. Ka shpalosur edhe një risi.
 

“Bashkimi Evropian ka thënë se nuk ka fonde për këtë fazë. Por do ta financojmë ne dhe Ministria e Kulturës na ka thënë se do të na bashkohen. Mendojmë ta tenderojmë ndërtimin në fund të vitit që në mars të vitit 2024 të nisim ndërtimin”, ka thënë ai. Kuma bashkë me partnerët vendorë do të bëjë ndryshimet gjatë përpilimit të projektit të detajuar. Krejt kjo Komunës do t’i kushtojë rreth 1.5 milion euro.
 

“BE-ja ka thënë se do të financojë projektin në ndërtim”, ka thënë Rama. E Kume ka qenë fort i shkurtër.
 

“Kjo ndërtesë është shumë e rëndësishme për ne. Ne jemi të lumtur që do të vazhdojmë këtë projekt”, ka thënë japonezi studioja e të cilit ka projektuar ndërtesa që janë duke u implementuar në 30 vende të botës.
 

Më pas krejt bashkë kanë shkuar këmbë deri te ndërtesa. Kuma ka dëgjuar sqarimet e kryetarit Rama. Ka qenë fjalëpak. Nga brenda nuk ka qenë e qasshme krejt hapësira. I kanë renë rrotull për ta parë të plotë nga jashtë bashkë me fasadën ikonike që ka. Më pas kanë bërë edhe xhiro në bulevardin kryesor të kryeqytetit.
 

Qasja e re e Komunës është krejt e afërt me qasjen që kishte arkitekti Arber Sadiki ku qe konkurrent për transformimin e ndërtesës e jo drejtor si Drejtorisë së Urbanizmit. Fillimisht kishte kundërshtuar publikisht transformimin e ndërtesës nga ana arkitektonike.
 

“Kjo, përpos që zhduk një ndërtesë që ne konsiderojmë se ka vlera të trashëgimisë arkitekturore, do të ishte humbje edhe në kuptimin ekonomik”, kishte thënë ai. Më pas kishte deklaruar se duke parë qëndrimin e autoriteteve komunale që pa ndonjë argument insistonin në shndërrimin e saj në sallë koncertesh, duke kulmuar me shpalljen e konkursit arkitektonik në fillim të vitit 2021, bashkë me arkitektin Gëzim Paçarizi që jeton në Gjenevë, vendosën të marrim pjesë me një propozim.
 

“Duke ndarë qëndrimet e njëjta me të për çështjet e cekura më lart, arsyeja kryesore e pjesëmarrjes tonë kishte të bënte me ofrimin e një propozimi i cili me intervenime të tipit revitalizues me një investim prej rreth 2 milionë eurosh do të kthente ndërtesën ekzistuese në galeri arti, ndërsa në hapësirat e lira përreth ndërtesës do të vendosej salla e madhe koncertale me rreth 1700 spektatorë, dy salla të vogla njëra me 400 dhe tjetra 200 spektatorë”, kishte thënë ai. Sadiki kishte thënë se s’ka dyshim që rruga e konkursit arkitektonik ndërkombëtar është ajo që duhet ndjekur, por duhet punuar vazhdimisht që kredibiliteti i tij të mbrohet përgjatë gjithë procesit.

“Përgjigjet që kemi marrë deri tani, nuk japin kurrfarë sqarimi se si kanë ardhur deri tek rangimi i projekteve, gjë që nuk është praktikë e konkurseve kredibile. Le të shpresojmë se ditët në vazhdim do t’i marrim, ne konkurruesit, por edhe gjithë publiku, sqarimet se cilat kanë qenë kriteret mbi bazën e të cilëve juria ka marrë vendime dhe sa dhe si, secili prej aplikuesve i ka plotësuar”, kishte shtuar ai.
 

Projekti i përzgjedhur llogaritej të kushtonte rreth 10.6 milionë euro që të implementohej. Me ndryshimet e kërkuara nuk ka ende ndonjë përllogaritje paraprake ende.
 

Qysh prej shtatorit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte përmendur ish-ndërtesën e “Gërmisë” si vend ku do të mund të ngrihej salla koncertale. Në tetor të atij viti, pas një debati të madh midis komunitetit të arkitektëve dhe atij të muzikës, Ministria e Kulturës e kishte përfshirë ndërtesën në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në atë rast kishte ndryshuar situata.
 

Më pas, nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale.
 

“Ndërtesës i ruhet pamja e jashtme në pajtim me Ligjin për trashëgimi kulturore”, shkruhej në pikën e tretë të vendimit të datës 23 tetor 2018. Më 19 mars të vitit 2020, Qeveria e kishte ndryshuar vendimin. Kishte hequr pikën tre, duke hequr dorë nga ruajtja e pamjes së jashtme, edhe pse ekzekutivi nuk ka kurrfarë kompetence ligjore sa i përket ndryshimit apo jo të pamjes a çfarëdo ndërhyrjeje në monumente. Krejt kjo kishte bërë që fondet e Këshillit të Evropës të ridestinohen dhe të humbë mundësia që kryeqyteti të ketë një sallë koncertale që ndërtohej kryesisht me donacion prej 11.4 milionë eurosh. Prej vitit 2006 është dhënë ideja që ajo ndërtesë të shndërrohet në muze të artit bashkëkohor./koha.net/

 

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing