Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Qytetarët e rajonit të Prishtinës së shpejti mund të paguajnë faturat e mbeturinave me çmim të rritur. Aktualisht, faturimi për largimin e mbeturinave është tarifë fikse prej 4.7 eurosh. Nga Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” kanë thënë se janë rritur ndjeshëm kostot e operimit prandaj shtrenjtimi i këtij shërbimi është i domosdoshëm. Po ashtu, kanë thënë se mund të rishikohen edhe pagat e punëtorëve. Kundër këtij propozimi janë qytetarët, të cilët thonë se jeta e tyre është vështirësuar tej mase.
Zëdhënësja e “Pastrimit”, Arbnora Ademi, ka deklaruar se janë kompani me vetëfinancim prandaj i duhet që të rrisin çmimet për të përballuar shpenzimet.
“Kompania ‘Pastrimi’ për kryerjen e shërbimit të pastrimit për largimin e mbeturinave ka kosto shumë të lartë dhe duke e ditur faktin që jemi ndërmarrje me vetëfinancim nënkupton që të gjitha të ardhurat i sigurojmë ne përmes pagesave të qytetarëve dhe njëkohësisht në tjetrën anë, në çdo produkt ka rritje të çmimit, ka inflacion dukshëm në vendin tonë, pastaj rritja e derivateve, rritja e pjesëve për kamionë rezervë dhe çdo produkti tjetër ka rritje. Pagat e punëtorëve nuk kanë lëvizur dhe faturat e mbeturinave mbetet e njëjtë dhe duke u nisur nga këto fakte të përmendura, ne sigurisht që e kemi parë të nevojshme që të bëhet kërkesa për rritje të faturave. Këtu do të hynte edhe rritja e pagave për punëtorët pasi që të gjithë janë mbajtës së familjeve dhe dihet që shpenzimet për secilin qytetarë janë të mëdha në këto kohë”, u shpreh Ademi.
Vendimi për rritjen e çmimit të faturës së mbeturinave duhet të marrë miratimin e Kuvendeve Komunale të komunave të rajonit të Prishtinës të cilat i mbulon “Pastrimi”. Mirëpo, Ademi ka thënë se nuk kanë marrë ndonjë përgjigje zyrtare, megjithëse ka shtuar se propozimi është që të bëhet një rritje simbolike, pa e specifikuar atë.
“Ne si kompani kemi bërë kërkesë, mirëpo mbetet nga konfirmimi dhe jemi në pritje që kur do të kemi zyrtarisht një përgjigje nga ana e kuvendeve komunale. Kemi vlerësuar që në bazë të analizës së kostove dhe shpenzimeve, kemi bërë vlerësimin për rritje të faturës që do ta përballonte secili klient. Nuk është rritje enorme, por është një rritje simbolike, shumë e vogël që ne kemi kërkuar”, ka shtuar ajo.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka thënë se çfarëdo vendimi për ndryshim të tarifave të faturës së mbeturinave do të bëhet vetëm pasi të bëhet një analizë financiare.