Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Ministria me “marrëveshje verbale” transferon drejtorin e Muzeut

Vendi  |  10.03.2023 Ora 10:00   

Menaxhmenti aktual i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka arritur një marrëveshje verbale me Ajet Lecin, që ai ta lërë detyrën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Më pas është gjetur mënyra se si të zhvillohet zyrtarisht procesi. Në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës ishte identifikuar si pozitë e lirë ajo e drejtorit të Departamentit për Arkiva Komunale, ku Leci është transferuar përkohësisht. Në MKK zëvendësues i drejtorit është emëruar Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS

 

Me jo pak përplasje e polemika, Ajet Leci ia kishte dalë që të zgjidhej në pozitën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës në vitin 2019. Pas vendimit, kishin shpërthyer akuzat për ndikim politik, ishte anuluar procedura me ndërhyrje politike, e më pas nëpërmjet një ankese, mësimdhënësi i historisë nga Komuna e Drenasit ishte ulur në karrigen e udhëheqësit të institucionit më të lartë muzeor në vend.
 

Krejt kjo kishte zgjatur më shumë se dy muaj. Por largimi i tij nga kjo pozitë është krejt e kundërta. Nëpërmjet një transferimi, pa pikë buje në ditën e 6-të të këtij muaji, Leci ka lënë zyrën tetë muaj pa i përfunduar mandati. Tash shërben në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Në vend të tij si zëvendësues i drejtorit është emëruar Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës.

KOHA ka mësuar se menaxhemnti aktual i MKRS-së ka arritur një marrëveshje verbale me Ajet Lecin që ai të lërë detyrën e drejtorit të MKK-së. Më pas është gjetur mënyra se si të zhvillohet zyrtarisht procesi. Në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës ishte identifikuar si pozitë e lirë ajo e drejtorit të Departamentit për Arkiva Komunale.

 

“Duke u bazuar në kërkesën e ASHAK-ut unë kam pranuar transferim të përkohshëm”, ka thënë shkurt Leci. Ai kishte bërë kërkesë për transferim dhe ajo ishte miratuar nga Këshilli Drejtues i Muzeut. I njëjti organ kishte propozuar që Vjollca Aliu të emërohej zëvendëse e drejtorit të Muzeut dhe që nga e mërkura veç ka nisur ushtrimin e detyrës.

 

KOHA ka komunikuar me kryesuesin e Këshillit Drejtues të MKK-së, Arben Hajdari. Ai ka konfirmuar transferimet, por nuk ka preferuar të flasë publikisht në këtë periudhë. Këshilli përbëhet edhe nga Lumnije Kadriu, Zana Rama, Luan Teta dhe Merita Augustini-Ndrecaj. Kjo e fundit do të emërohet zëvendësuese e drejtorit të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore. Aktualisht udhëheq Divizionin për Trashëgimi Arkitekturore dhe Arkeologjike në këtë departament.

Zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Feim Hoxha, ka thënë se pas kërkesës së ish-drejtorit Leci është miratuar transferimi i tij në një pozitë ekuivalente. Sipas tij, nuk ka ndonjë afat se kur mund të hapet konkursi për drejtor të Muzeut Kombëtar të Kosovës.
 

“Për këtë pozitë dhe për të tjerat që janë të lira ne do t’i dorëzojmë kërkesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme, konkretisht në Departamentin për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore dhe pas miratimit atëherë do të hapen konkurset”, ka thënë ai.
 

Historia me drejtorët e Muzeut ka qenë sfidë për MKRS-në për një kohë të gjatë. Në mbrëmjen e 21 gushtit të vitit 2019, Ajet Leci kishte dalë nga intervista duke u vlerësuar me më së shumti pikë nga përbërja e atëhershme e Këshillit Drejtues.
 

KOHA të nesërmen kishte raportuar se ai ishte anëtar i Kryesisë së PDK-së në Drenas. Paraprakisht ishte zgjedhur edhe drejtor i shkollës “Mehmet Gradica” në fshatin Gradicë. Ai ka gradën master në histori me temën “Shërbimi sanitar mjekësor në Zonën e Drenicës 1998/99”. Sipas listës, konkursit për drejtor të MKK-së, pos Lecit, ia patën mësyrë edhe: Izet Miftari, Sadik Krasniqi, Arsim Mehmeti, Sedat Sahitaj, Naim Çekaj, Bekim Vishaj, Bekim Gashi, Arben Arifi, Fatmir Hoxha e Ismet Mulaj.
 

Një ditë pas zgjedhjes së Lecit, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, në kuadër të trumbetimit se do t’i luftojnë korrupsionin e nepotizmin, i kishin dhënë vetes të drejta që nuk i gëzonin ligjërisht. Veseli e Gashi ishin shndërruar në vlerësues të procedurave të rekrutimit në shërbimin civil të Kosovës. Pa kurrfarë kompetence ligjore kishin thënë se kanë anuluar procedurën nëpërmjet së cilës Ajet Leci ishte zgjedhur drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës. Pas deklarimit të tyre për këtë çështje, Ministria e Kulturës nëpërmjet një vendimi kishte anuluar konkursin. Por Leci do të bënte një ankesë dhe vetë MKRS-ja do ta gjente atë si të bazuar duke bërë që më 12 nëntor të atij viti ai të merrte drejtimin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.
 

Një tjetër kapitull me drejtorin e Muzeut ka qenë edhe ai me Skënder Boshtrakajn. Ai ishte emëruar në pozitën e drejtorit më 4 maj 2015 nga Ministria e Kulturës, ishte detyruar që të largohej nga zyra pas tre vjetësh pune si drejtor në atë institucion. Vendimin për largimin e tij e kishte dhënë Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila kishte ardhur në përfundim se emërimi i Boshtrakajt në pozitën e drejtorit të MKK-së ishte bërë në kundërshtim me ligjin. Asokohe Boshtrakaj me vendim të sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, ishte transferuar nga pozita e udhëheqësit të Divizionit për Menaxhim të Integruar dhe Turizëm Kulturor në atë të drejtorit të Muzeut. Sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë, transferimi nuk ishte bërë në pozita ekuivalente./koha.ne/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing