Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

KEK-u kërkon rritjen e çmimit të shitjes së energjisë për KESCO-n dhe KEDS-in

Vendi  |  10.03.2023 Ora 8:06   
Zyra e Rregullatorit të Energjisë pritet që deri në fund të këtij muaji t’i caktojë tarifat e energjisë, që do të hyjnë në fuqi më 1 prill 2023. Edhe KEK-u do që të rritet çmimi i megavatit që ajo shet për KEDS-in dhe KOSTT-in
 
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka kërkuar që çmimi i energjisë që ajo ia shet KEDS-it të rritet për tri euro për megavat. Nga 29.5 euro sa është aktualisht, në komentet që ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji, në kuadër të procesit tarifor, ka kërkuar që çmimi të jetë 32.4 euro për një megavat.
 
Sipas kësaj ndërmarrjeje, çmimet aktuale nuk mbulojnë koston mesatare të prodhimit të energjisë nga termocentralet, duke përfshirë edhe koston e eksploatimit të thëngjillit për prodhim të energjisë.
 
“Vlen të theksohet se përkundër faktit që çmimet e furnizimit kanë pësuar rritje drastike në treg, çmimet e energjisë elektrike të Korporatës Energjetike të Kosovës nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim nga viti 2019, duke e rritur ekspozimin e Korporatës për të operuar me humbje”, thuhet në komentet e KEK-ut.
 
KEK-u ka kërkuar që çmimi për mbulimin e humbjeve në shpërndarje dhe për humbjet në transmetim të jetë 39.54 euro për megavat.
 
Aty po ashtu thuhet se nga tetori i vitit 2021 e deri në fund të vitit 2023, me tarifat aktuale kostoja shtesë e pambuluar në tarifat e KEK-ut arrin shifrën rreth 10.1 milionë euro.
 
“Prandaj KEK-u kërkon nga bordi i ZRRE-së, që kostot e mësipërme dhe kostot shtesë nëse do të ketë, të njëjtat të reflektohen edhe te kostot e blerjes së energjisë vendore me anë të cilave KEK-u do të mund ta kompensojë diferencën e kostos shtesë në çmimin e energjisë elektrike me shumicë”, thuhet në komentet e KEK-ut adresuar në ZRRE.
 
Pasi marrëveshja aktuale për çmimet me palët KEDS, KESCO dhe KOSTT skadon më 31 mars 2023 dhe çmimet aktuale nuk mbulojnë koston e prodhimit të energjisë elektrike nga Termocentralet, duke përfshirë edhe koston e eksploatimit të thëngjillit për qëllim të prodhimit të energjisë elektrike, kostoja mesatare e vlerësuar për vitin 2022, sipas draft-pasqyrave financiare, është 31.25 euro për megavat.
 
“Andaj për periudhën e ardhshme, duke filluar nga 1 prill 2023, KEK-u kërkon nga palët që të reflektojnë koston mesatare të prodhimit të energjisë elektrike, si dhe mbulimin e kostove shtesë që barten nga rritja e tarifave të KOSTT-it”, thuhet në komente.

 
Rritje të kostos ka kërkuar edhe KOSTT-i. Kjo ndërmarrje ka deklaruar se ka pasur humbje në vlerë mbi 13 milionë euro.
 
Propozimi i ZRRE-së, që çmimi i energjisë të rritet prej 14 për qind në tarifat e reja që pritet të hyjnë në fuqi më 1 prill, është kundërshtuar nga deputeti i PDK-së, Ferat Shala. Ai në seancën plenare të enjten ka thënë se kjo rritje është e papërballueshme.
 
“Jemi në prag të vendimmarrjes nga ZRRE-ja për ngritje të tarifave për 14%. Ne si PDK jemi kundër dhe kërkojmë që kjo masë të mos ndodhë. Për arsye të gjendjes ekonomike jo të mirë të vendit, inflacionit të lartë mbi 14% të të gjitha produkteve bazë të jetesës, për shkak të rënies së fuqisë punëtore dhe rënies së shumë vendeve të punës dhe ikjes masive të qytetarëve, kjo rritje është e papërballueshme dhe nuk duhet të ndodhë”, ka thënë ai.
 
Shala ka akuzuar qeverisjen e tanishme për situatën në sektorin energjetik.
 
“Tash e dy vjet jemi në paqartësi rreth së ardhmes së sektorit energjetik të vendit, paplanifikimit rreth remonteve të termocentraleve. Jemi këtu edhe për shkak të ndërhyrjeve politike në rregullatorin ZRRE, KEK, KOSTT. Jemi këtu sepse kemi negociuar për dy vjet udhërrëfyesin e energjisë dhe tani edhe pas nënshkrimit, nuk kemi implementim dhe zbatim të tij. Jemi këtu sepse kemi keqmenaxhim të KEK-ut, mbështetur në kuadro krejtësisht politike dhe joprofesionale”, ka theksuar ai.
 
Deputeti i PDK-së ka propozuar që të krijohet një task-forcë nacionale me ekspertë të pavarur.
 
“Ju ofrojmë mbështetje për të dalë nga kjo rrugë, por jo me këtë formë e këtë platformë e këtë sjellje që Qeveria ka. Nëse keni vullnetin e mirë që ta kalojmë këtë krizë dhe këtë goditje të rëndë për vendin, të krijojmë një task-forcë nacionale me ekspertë të pavarur të cilët shumë shpejt do të merrnin përsipër reformën e thellë në sektorin energjetik të vendit, do të merrnin vendim në rrugëtimin tonë politik strategjik për sektorin”, ka thënë Shala.
 
Në kudër të procesit konsultativ në ZRRE, komente kanë dorëzuar edhe Qeveria dhe Presidenca. Të dy këto institucione kanë kërkuar që të mos ketë rritje të çmimit për amvisëritë, por për dallim nga Presidenca, ekzekutivi ka kërkuar që nëse ka rritje, ajo të shpërndahet te bizneset.
 
Por, sipas ekonomistëve, nëse rritja shpërndahet vetëm te bizneset, atëherë do të ketë rritje të kostos së produkteve, e cila do të bartet sërish te konsumatorët.
 
Presidenca ka rekomanduar që të mos rriten tarifat dhe ka propozuar që kostoja shtesë e operatorëve, e diktuar nga importi, të mbulohet përmes pakos prej 75 milionë eurosh, të ndara nga Bashkimi Evropian.
 
Por, këto mjete nuk parashihen për mbulimin e tarifave. Një e treta ose 25 milionë euro do të shkojnë për subvencionimin e faturave të energjisë dhe metodave të ngrohjes alternative, si druri dhe peleti për rreth 200,000 familje, duke përfshirë pensionistët, nënat vetushqyese, mbajtësit e skemave sociale dhe njerëzit dhe familjet e margjinalizuara.
 

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing