Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Mes 1 mijë e 200 euro dhe 5 mijë e 137 euro, janë vlerat maksimale të qirave që mund t’i paguajnë ambasadorët e Kosovës gjithandej botës.
Ministria e Punëve të Jashtme ka publikuar vlerat e reja për qira të banimit, si dhe për shpenzime të tjera të punonjësve të misioneve diplomatike.
Ambasadori i Kosovës në ShBA, i prinë listës së shpenzimeve për qira mujore.
Vetëm për akomodim të ambasadorit në New York, mund të shpenzohen 5 mijë e 137 euro, kurse për akomodim në Uashington mund të shpenzohen deri në 3 mijë e 820 euro.
Në krye të listës janë edhe tri qytetet zvicerane, Cyrih, Gjenevë dhe Bern, ku për akomodim mund të shpenzohet mes 3 mijë e 780 euro dhe 3 mijë e 400 euro.
Mbi 3 mijë euro për akomodim, mund të shpenzohen edhe në Londër, Kanberra, Paris, Toronto, Jerusalem, Otava, Berlin e Tokio.
Më lirë për qira të banimit për ambasadorë, Kosova do të paguajë në shtetet e rajonit.
Në këtë listë, ajo që bie më shumë në sy është që për akomodim të ambasadorit në Shqipëri, do të paguhet më shumë se për akomodim në Turqi.
Në Tiranë është përllogaritur 1 mijë e 551 euro, në Stamboll 1 mijë e 452 euro, kurse në Ankara 1 mijë e 320 euro.
Përveç qirave, MPJ-ja ka hartuar edhe rregulloren e re për kompensimin e anëtarëve të shërbimit të jashtëm, ku përcaktohen beneficione të tjera.
Vendimet e reja të Ministrisë, nuk i kanë pëlqyer anëtares së komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme, Time Kadriaj.
“Unë mendoj se e gjithë kjo nuk është e dinjitetshme, sepse nëse po dëshirojmë që me pas diplomaci edhe jemi në një kohë kur na duhet diplomaci aktive dhe jo ne ti degradojmë në formën e tillë… Po shikohen me llupë se çfarë shpenzimesh kanë bërë. Një ambasador duhet të shpenzojë, sepse duhet të ftojë një zyrtarë të lartë, të diskutoj për politikat, duhet të bëjë lobim”, ka deklaruar Kadrijaj.
Mirëpo, për kryetaren e komisionit, Arbreshë Kryeziu, të gjitha shpenzimet u përllogaritën mirë.
“Unë do të thoja se këtu ka hapësirë për t’u kritikuar, sepse sigurisht, vlera e pagave dhe e shtesave është përcaktuar në bazë të nevojave që ambasadorët i kanë në vendet që ata shërbejnë, duke u marrë për bazë shumë elemente aty. Ndërsa, sa i përket qirajave, mos të harrojmë që është shumë e rëndësishme një element që ministria e Punëve të Jashtme po bënë përpjekje të vazhdueshme që ndërtesat në vende të ndryshme ku shërbejnë ambasadorët tanë, të blihen dhe të kthehen në pronë të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.
Vendimi i ri për shpenzimet e stafit diplomatik, ka hyrë në fuqi nga gjashtë marsi.