Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Véronique Ataly s’ka nevojë ta trillojë ndonjë tregim, kur synon të flasë për feminizmin, pabarazitë gjinore, ngacmimet a për seksizmin. Aktores e feministes franceze i mjafton rrëfimi i saj jetësor, rrugëtimi dhe përvojat e saj. Pa ngjyrime e sforcime, Ataly është vetë aktivizmi. U bë aktiviste, sepse duhej të bëhej e tillë. Qe domosdoshmëri, siç thotë, se është dhe duhet të jetë për krejt gratë.
Të mërkurën pasdite, në Mitrovicë ajo ka kthyer kohën prapa, teksa ka folur për dekadën e saj si aktore teatri e filmi. Por jo për karrierën, as për prapaskenat e produksioneve artistike, por për ato me të cilat mbi të gjitha një grua përballet në prapaskenat e përditshmërisë.
“Përshëndetje zonja dhe zotërinj. Në frëngjisht me të thënë përshëndetje bëhet dallimi midis burrave dhe grave”, ka qenë përshëndetja e njëkohshëm edhe paralajmërimi i rrëfimit, në hapësirat e organizatës “7 Arte”. Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kryetemat që ka shpalosur ajo pa dhënë përgjigje, kanë qenë gjuha seksiste, cenimi i të drejtave dhe i mundësive për punë. Kur qe aktive në teatër e në film, ka thënë se nuk mund të mendonte gjë tjetër pos faktit se ka një punë të mrekullueshme. Por gjërat do të ndryshonin për të si 40-vjeçare. S’e kishte të lehtë të gjente punë, e për këtë asokohe s’i përgjigjej dot as vetes. Do t’i duhej kohë që ta kthjellonte krejt këtë gjendje, e do të përballej me dyshime në vete e në zotësitë e saj si aktore. Ka qenë 30-vjeçare kur u ngacmua seksualisht nga një regjisor me nam.
“Organizata dhe fushata feministe nuk kishte në atë kohë”, ka thënë Ataly. Kjo e bënte edhe më të vështirë shprehjen e shqetësimit për atë që i kishte ndodhur. Edhe adresimin e situatës te organet kompetente. Shoqëria e sugjeronte të heshtte.
“Refuzova të shkoja në shtrat me regjisorin i cili ishte duke punuar në shfaqjen ‘Shtëpia e kukullës’ të Henrik Ibsenit. Rolin e mora me meritë. Më pas regjisori përdorte teknika që në ditët e sotme njihen si ngacmim psikologjik”, ka kujtuar Ataly, teksa ka shtuar se njëri nga shumë shembujt ishte ai kur regjisori do t’ia ndalonte të merrte ditë të lira për xhirimin e një filmi, ani pse marrëveshja paraprake ishte se e kishte këtë mundësi. Tetë ditë para premierës i kërkoi të largohej se po e rrezikonte shfaqjen.
“E dërgova rastin në gjykatë dhe fitova, falë drejtorit të Teatrit i cili e kuptoi se çfarë po ngjante, dhe u shokua me sjelljet e tij të dhunshme”, ka thënë Ataly. Në sytë e të tjerëve ajo ishte aktorja që nuk mund ta përfundonte një shfaqje të nisur.
Ky qe momenti kur kjo aktore e zonja vendosi të largohej nga aktrimi dhe të mundohej nëpërmjet hulumtimeve t’i kuptonte këta mekanizma destruktivë dhe pabarazinë midis burrave dhe grave. Do të hapte një kapitull të ri në jetën e saj që s’kishte të bënte me aktrim, por me jetën reale dhe jo vetëm të sajën. Ajo u bë zëri i grave, siç është edhe sot. Për shumë kohë ishte pjesë e organizatës “HF” me misionin që t’i identifikonte pabarazitë gjinore në sektorin e kulturës dhe të artit.
Rrëfimin e saj aktivistja e ka vazhduar duke i dëshmuar pabarazitë edhe nëpërmjet statistikave si ato për përqindjen e vogël të grave që marrin çmime për letërsi, aktrim e muzikë. Në mesin e grave që veprojnë në këto fusha, mosha e tyre është tabu. Sipas Atalyt, një aktore nuk e tregon moshën e saj asnjëherë, sepse ato idealizohen si të reja dhe të bukura.
“Në Francë gratë plaken e burrat piqen”, ka cituar ajo aktoren e njohur franceze Simone Signoret. Rrëfimin e saj e ka përmbyllur me pjesë nga “Deklarata e të drejtave të grave”, të shkruar nga Olympe de Gouges, e cila është ekzekutuar në vitin 1793 për shkak të ideve të saj revolucionare dhe feministe.
Pas performancës, Ataly ka thënë se ndarja e këtyre përjetimeve të hidhura me të tjerët është e vështirë. Megjithatë, ngritja e vetëdijes është më e rëndësishme sesa rikthimi i atyre ndjenjave.
“Jam shumë e lumtur që jam në mesin tuaj dhe që pata mundësinë të ndaja përvojat e mia me audiencën. E di që nuk është e lehtë të flas për ato përvoja, por megjithatë erdha”, ka thënë Ataly.
Gjatë kohës kur ishte ballafaquar me këto sfida, ajo ka thënë se ishte shumë pesimiste dhe shpeshherë nuk gjente forcë t’i thoshte gjërat ashtu siç janë. Vajza e saj u shndërrua në shtytje të fortë për të luftuar për të drejta të barabarta. Për vajzat e ka një mesazh.
“Në kohën kur unë kam qenë pjesë e filmit dhe teatrit francez kam qenë shumë pesimiste. Nuk kam pasur kurajën që t’i them gjërat ashtu siç kanë ndodhur. E kam vajzën nga e cila marr gjithë kurajën dhe optimizmin. Vajzat duhet të jenë më të zëshme se që kam qenë unë”, ka thënë aktorja.
Pjesëmarrës në ngjarjen e së mërkurës mbrëma ishte edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot. Ai ka thënë se garantimi i të drejtave themelore për gratë është prioritet i autoriteteve franceze. Ka theksuar luftën kundër dhunës në familje dhe të të gjitha formave të tjera të dhunës ndaj grave.
“Diplomacia feministe është diçka që Franca është duke e ndjekur që nga viti 2019 në mënyrë që të arrihet barazi mes burrave dhe grave. T’u garantojmë të gjitha grave dhe vajzave të drejtat fondamentale. Këtu përfshihet lufta kundër dhunës në familje dhe të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Po ashtu, edhe promovimi dhe mbrojtja e të drejtave seksuale dhe riprodhuese, të cilat shumë shpesh injorohen apo edhe mohohen e në tërësi janë universale”, ka thënë ambasadori Guerot.
Nikoqir i mysafirëve nga Franca dhe të tjerët që erdhën për ta përcjellë performancën e aktores ishte udhëheqësi i organizatës “7 Arte”, Lulzim Hoti. Në fakt, në këtë ngjarje është inauguruar edhe ashensori në objektin e kësaj organizate, një projekt i konkretizuar me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Kosovë.
Hoti, në fjalimin përshëndetës për të pranishmit ka thënë se bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave të artistëve e kanë rolin e veçantë në ndryshimin për të mirë në komunitet.
“Duhet të gjejmë më shumë mënyra për të sjellë artistë nga Franca në Kosovë dhe anasjelltas. Jo vetëm unë, por edhe organizata jonë beson në fuqinë e artit, sepse ajo mund të transformojë komunitete dhe të inspirojë njerëz të bëjnë ndryshime. Për atë jemi mbledhur sonte që t’i sjellim këtij qyteti ndjenja pozitive të cilat shpeshherë i mungojnë. Ne besojmë në fuqinë e artit dhe po ashtu besojmë në fuqinë e gruas, kështu që le ta festojmë këtë natë”, ka thënë Hoti.
Véronique Ataly do të marrë pjesë në festivalin “FemArt” në muajin maj. Për këtë ka thënë se është dëshmi se ka po aq kënaqësi dhe energji për aktrim sa kishte kur e filloi./koha.net