Mbi 25 milionë euro u shpenzuan për botimin e teksteve të reja shkollore, por gabimet përmbajtjesore, teknike e mosharmonizimi me kurrikulën shkollore, nuk u eliminuan. Jo rrallë herë, mësimdhënësit detyrohen të bëjnë përmirësime në tekste shkollore për të nxjerrë të vërtetën. E në Ministri të Arsimit kanë thënë se këtë problem synojnë ta rregullojnë me Ligjin e ri për tekste shkollore
Përmirësime në tekste shkollore si këto, të cilat mësimdhënësit detyrohen t’i bëjnë në matematikën e klasës së katërt, nuk janë të rralla.
Njëjtë vepron edhe arsimtarja e gjuhës shqipe, Zarife Bajgora-Godanci. Ajo ka thënë se përveç gabimeve, mungojnë edhe njësi që lidhen me gramatikën në tekstet shkollore që ajo u ligjëron nxënësve.
Rishikimin e librave shkollorë ajo e vlerëson të domosdoshëm.
“Ta them të drejtën që janë munduar t'i bëjnë disa përmirësime, mund të themi se ka vend prapë për përmirësime, mund të them se janë pak të thata, një libër i vetëm në klasën e gjashtë është i pamjaftueshëm. Aty u jep hapësirë fëmijëve me hulumtu, por kemi raste ku pak e neglizhojnë hulumtimin, mandej arsyetohen e thonë se nuk ka qenë në libër”, ka theksuar Bajgora-Godanci.
Në librin e Gjuhës Shqipe për klasën e nëntë shkruan se ilirët jetonin në Gadishullin Ilirik, në Ballkanin e sotëm, e shtriheshin deri në Detin e Veriut.
Të ekzagjeruar e ka cilësuar këtë shkrim profesori i historisë në gjimnazin “Sami Frashër”, Ibush Llapashtica. Ai ka thënë se tekstet shkollore duhet të vlerësohen me kujdes, pasi rrezikohet dezinformomi i nxënësve.
“Këto duhet të kenë bazë, të jenë shumë të qarta, të kenë këto gabime që ndodhin, këto gabime të tilla, por duhet të përmirësohen, pasi për një ribotim të një librit, qoftë për fillore, qoftë për të mesmen, kalon në disa komisione. Qoftë shpallja e pavarësisë, qoftë kufizimi i ilirëve, janë gabimet të cilat janë të pafalshme, sepse nxënësi i shkollës fillore sot e mëson shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e cila është datë e veçantë historike”, ka deklaruar Llapashtica.
Më herët portali Koha ka raportuar se data e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është paraqitur gabim në Fletoren e Punës të lëndës “Shoqëria dhe Mjedisi 4”. Në Ministri të Arsimit kanë thënë se recensentët që kanë lëshuar gabime gjatë vlerësimeve të teksteve nuk do të kenë mundësi të angazhohen më.
Botimi i teksteve të reja shkollore ka filluar në vitin 2019 me synimin që të eliminohen defektet në përmbajtje dhe drejtshkrim, si dhe të bëhet harmonizimi i tyre me kurrikulën. Sipas Ministrisë së Arsimit janë shpenzuar mbi 25 milionë euro për botimin e tyre.
Eliminimin e gabimeve në Ministri kanë thënë se do ta rregullojnë përmes Ligjit të ri për tekste, që tashmë është në Kuvend.