Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Nga komuna thonë se për shkak të kushteve atmosferike dhe ngricave në muajt e fundit janë zvarritur punimet në këtë qendër, pavarësisht që kjo nuk përkon me motin.
“Punimet sa u përket punimeve ndërtimore në pjesën e brendshme të objektit e po ashtu edhe të oborrit janë pothuajse në fazën përfundimtare. Të gjitha punimet janë duke u finalizuar, sepse kemi pasur pak vështirësi për shkak të kushteve klimatike dhe ngricave, e për këtë shkak janë zvarritur punimet në këtë proces“, ka thënë Habib Qorri, zyrtar për hapësira publike në Komunën e Prishtinës.
“Mirëpo ajo që është e rëndësishme është që të gjitha punimet janë në finalizim e sipër, pastaj i kemi edhe procedurat e tjera pasi që të lëshohet në përdorim. Kjo, për shkak se, së bashku me Agjencinë e Veterinës, objekti duhet të marrë licencën, për shkak se objekti duhet t’i plotësojë kushtet për trajtimin e qeneve endacakë. Nuk mund të them që ka mungesë të veterinerëve, sepse ne si komunë kemi pasur shumë bashkëpunim me Agjencinë e Veterinës. Ka mjaftë veterinerë, por ne duhet t’i marrim ata në bazë të ligjit. Unë shpresoj që nuk do të ketë mungesë por konkurrencë, sikurse në profilet e tjera”, ka shtuar ai.
Megjithatë, komunarët nuk kanë datë të saktë të hapjes së qendrës që për qëllim ka kastrimin dhe sterilimizin e qenve endacakë.
“Jo, nuk është larg hapja e qendrës. Ne nuk mund të bëjmë kërkesë tek agjencia përderisa objekti nuk është i gatshëm, është procedurë ligjore. Nuk jemi duke mbetur keq në trajtimin e qenve endacakë, sepse kemi edhe pesë kontrata të tjera në tërë territorin e Prishtinës”, ka shtuar ai.
Për qytetarët më të rrezikuarit janë fëmijët, andaj Komuna duhet ta ketë prioritet trajtimin e qenve endacakë.
“Me të thënë të drejtën, jo vetëm unë por edhe fëmijët po ndihen të rrezikuar, kjo është më e keqja. Ne po bisedojmë, po japim mendime, por askush nuk po i merr parasysh këto mendimet tona. Mua nuk më ka ndodhur, por kam parë shumë gra dhe fëmijë teksa i sulmojnë dhe janë ndier shumë të frikësuar. Komuna nuk është duke bërë mjaftueshëm për këtë gjë, jo vetëm në këtë temë, e rëndësishme për ta është ta marrin pushtetin për 4 vjet, asgjë tjetër”, ka thënë Bejtush Abazi, qytetar.
“Fëmijët janë të rrezikuar, unë personalisht di raste dhe është mirë që me i mbledhë dhe me i dërgua në strehimore. Këtu vijnë turistë nga e gjithë bota, nuk ka kuptim, për ne është kjo e papranueshme në kryeqytet me pasë qen. Kam parë raste të shumta që janë sulmuar. Komuna e Prishtinës është duke çaluar edhe në shumë gjëra të tjera jo vetëm në këtë, të qeneve endacakë”, ka thënë qytetari Azem Azemi.
“Ata tashmë i kanë vaksinuar, por nuk po duken hijshëm nëpër qytet duke lëvizur. Ka rrezik edhe për fëmijët më së shumti”, është shprehur qytetari Shaban Gashi.
Ndërsa opozita në Komunën e Prishtinës e thekson faktin që kjo qendër është shumë e vogël dhe nuk i përmbush kriteret për trajtimin e qenve endacakë, duke pasur parasysh numrin e madh të tyre.
“Kjo problematika e qenve është duke u bërë vazhdimisht problem i madh për të gjithë ne. Komuna e Prishtinës ka bërë disa prova të vogla me një strehimore në Hajvali. Por që realisht është shumë e vogël, ku e njëjta më shumë bën një lloj trajtimi që i kastrojnë qentë dhe i lëshojnë, ajo nuk e plotëson asnjë lloj kriteri”, ka deklaruar Bahri Gashi, shef i asamblistëve në Komunën e Prishtinës nga AAK-ja.
200 mijë euro ka ndarë në buxhetin e këtij viti Komuna e Prishtinës për trajtimin e qenve endacakë. /koha.net/