Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

Stafi teknik i shkollave në grevë – klasat mbushen bërllok

Vendi  |  03.03.2023 Ora 10:40   

Në hapësirat e shkollave të mesme të larta të kryeqytetin, pasditen e së enjtes u panë kudo mbetjet e cigareve. Konsumimi i duhanit nga nxënësit u vu në pah, pasi punëtorët teknikë të sektorit privat nuk i pastruan hapësirat, në shenjë proteste, pasi prej një muaji nuk u paguan. Kompanisë me të cilën kanë marrëdhënie pune i skadoi kontrata me komunën, e cila ende nuk ka arritur të kontraktojë kompaninë e re

 

Kanë ndërprerë punën të enjten punëtorët teknikë të sektorit privat në pesë shkolla në Prishtinë: “Hoxhë Kadri Prishtina”, “Prenk Jakova”, “Abdyl Frashëri”, “Gjimnazi i Specializuar Matematikor” dhe “Qamil Batalli”.
 

Igballe Mecinaj së bashku me gjashtë kolegët e saj, vendimin e morën në shenjë proteste pasi që një muaj nuk u paguan, si dhe për shkak të trajtimit jo të barabartë në pagë me kolegët e sektorit publik.
 

“Diskriminimi është mos vet. Në të njëjtën shkollë punojmë, e ne nuk e gëzojmë atë të drejtë. Ne e marrim këtë rrogë, edhe këtë kanë vendosë mos me na japë. Kemi punuar se nuk kemi mundur t’i lëmë në hapësira të papastërtie nxënësit, që janë si fëmija jonë”, ka thënë Mecinaj.

 

Ajo ka thënë se me rrogën prej 255 eurosh, e cila është rreth 110 euro më e vogël se e kolegëve të saj që janë të punësuar direkt nga shteti, mban familjen katër anëtarësh.

 

“Unë për shembull djemtë i kam, burrin. Vetë e katërta jam. Vetëm me këtë rrogë, e nuk kam asnjë të ardhur tjetër”, ka thënë ajo.

Për shkak të ndërprerjes së punës nga stafi teknik, nxënësit në shkollën ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”, të enjten nuk e mbajtën procesin mësimor gjatë ndërrimit të mesditës, pasi askush nuk ishte për të pastruar klasat në kohën e pasdites.
 

E vendimi i tyre ka vënë në pah konsumimin e duhanit nga gjimnazistët, ku mbetjet e cigareve ishin të dukshme në të gjitha hapësirat e shkollës, e cila për momentin numëron vetëm gjashtë punëtorë teknikë të shtetit.
 

Zëvendësdrejtori, Osman Beqiri, ka thënë se për shkak se kamerat e sigurisë nuk punojnë, e kanë të vështirë të monitorojnë edhe nxënësit që konsumojnë duhan.
 

Ai ka thënë se komuna duhet të gjejë një zgjidhje të shpejtë, pasi papastërtia është në nivel alarmues.
 

“Asnjë punëtor publik nuk e kemi që punon. Në ndërrim e paradites janë tetë punëtorë, ndërrimin e pasdites janë vetëm katër, e të gjithë janë privatë, kështu që refuzojnë të pastrojnë klasat”, ka thënë ai.
 

Nxënësja në klasën e njëmbëdhjetë, Erona Llugaliu, shpreh shqetësimin për ndikimin që papastërtia do të shkaktojë në shëndetin e saj.
 

“Pra, elementi bazik është higjiena në shkollën tonë, kështu që nëse një ditë na mungon neve, atëherë do të kemi rrezik për shëndetin tonë si dhe për stafin shkollor ashtu edhe për nxënësve, kështu që është gjëja më e rëndësishme e cila na nevojitet”, ka thënë ajo.
 

Punëtorët e sektorit privat nuk kanë marrë paga, pasi kompanisë në të cilën kanë marrëdhënie pune i ka skaduar kontrata me komunën.
 

Kompensim për muajin që punuan nuk do të marrin, kanë thënë në Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) në Prishtinë.
 

Në një përgjigje për KOHËN, në DKA kanë thënë nuk kanë asnjë mundësi ligjore të bëjnë kompensimin.
 

“Meqë ka skaduar kontrata, Komuna nuk ka asnjë mundësi ligjore të bëjë kompensimin e atyre punëtoreve të kompanive private që kanë qenë të angazhuar nga operatori ekonomik, sepse ata janë punëtorë të kompanisë private”, thuhet në përgjigje.
 

Edhe pse që nga nënshkrimi tre vjet më parë ka qenë e ditur se kontrata skadon në shkurt të vitit 2023, komuna ende nuk ka arritur të kontraktojë kompaninë e re. Sipas zyrtarëve komunalë, procesi është ende në faza të prokurimit.
 

“Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë të gjitha masat që të gjitha shkollat të kenë funksionim të duhur sa i përket shërbimeve të pastrimit. Një nga kontratat 3-vjeçare të pastrimit të shkollave të mesme ka skaduar në muajin shkurt, dhe për të njëjtën është njoftuar paraprakisht operatori ekonomik. Komuna e Prishtinës ka shpallur tenderin e ri për pastrimin e objekteve shkollore muajin e kaluar dhe tashmë është në procedurë të prokurimit”, është thënë në përgjigjen e Komunës./koha.net/

 

 

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing