Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se për tri javë të projektit “Superpuna” janë punësuar mbi 1000 të rinj, të moshave 18 deri 25 vjeçare.
Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se për tri javë në këtë platformë janë verifikuar mbi 3 mijë punëkërkues, mbi 2 mijë punëdhënës që ofrojnë punë e janë konfirmuar mbi 1 mijë punësime. Sipas tij, janë edhe mbi 1500 pozita të lira pune për të rinjtë.
Siç raportoi KOHA javën e shkuar, vendet e lira të punës në këtë platformë janë kryesisht në tregti dhe gastronomi. Sipas ekonomistëve, kjo tregon që ekonomia e Kosovës është e dobët dhe nuk ka industri prodhimi. E, në opozitë kanë kritikuar Qeverinë për mungesë politikash të qëndrueshme të punësimit.
Platforma “superpuna” e lansuar më 6 shkurt synon punësimin e të rinjve nga mosha 18 deri në 25 vjet. Qeveria për gjashtë muaj do të subvencionojë punëdhënësin duke paguar pagën për punëtorët në vlerë prej 264 eurosh. Murati pati shkruar në Facebook se paga shkon deri në 1.000 euro, pasi bizneset po shtojnë pagën e tyre. Megjithatë, në platformën “Superpuna” punëdhënësit kanë ofruar kryesisht pagën minimale që mbulohet nga Qeveria. Sipas shpjegimeve në profilin e platformës në Facebook, bizneset nuk janë të obliguara që të shtojnë pagën mbi subvencionimin e Qeverisë. Bizneset mund të angazhojnë deri në 30 për qind të numrit të punëtorëve që kanë. Subvencionimi i Qeverisë del në llogari të biznesit pasi ai të ketë paguar pagën e punëtorit.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave në Kosovë, janë rreth 380 mijë të punësuar, ndërsa mbi 100 mijë janë të regjistruar si të papunë./koha/