Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Aktorja e njohur amerikane, Courteney Cox, më së miri e njohur për portretizimin e Monica Geller në serialin hit, “Friends”, u nderua me yll në shtegun e të famshmëve në Hollywood.
Ajo qe e pranishme në ceremoninë e zbulimit të yllit të saj, ku u shoqërua edhe nga koleget dhe mikeshat e saj, Jennifer Aniston, Lisa Kudrow dhe Laura Dern.
Koleget e saj nga seriali i famshëm i kanalit HBO, Aniston dhe Kudrow, thanë se dashuria e madhe Coxit pati një efekt jetëgjatë tek ato.
“Ajo na ka mësuar që gjithmonë ta përkrahim dhe duam njëra-tjetrën, dhe se aktorët nuk duhet të konkurrojnë me njëri-tjetrin. Fjalët e saj të mençura kanë qëndruar me mua për gjithë këto vjet dhe në njëfarë mënyre më kanë shoqëruar në këtë rrugëtim të gjatë të karrierës. Është fat i madh kur je aktore e re dhe arrin të krijosh marrëdhënie shoqërore të forta të cilat i ruaj dhe vlerësoj edhe sot e kësaj dite”, tha Aniston.
Edhe Kudrow i pati disa fjalë të mira për mikeshën e saj.
“Më duhet të them që vërtet besoj se ishte ky veprim i Courteneyt që na ndihmoi për t’u bërë një nga kastet më të afërta, më të dashura dhe më mbështetëse në historinë e televizionit”, përfundoi aktorja.
Corteney Cox dukej mjaft e emocionuar në këtë ngjarje, ku përveç mikeshave, shoqërohej edhe nga familjarët e dashur, në veçanti vajza e saj e vetme, CoCo Arquette.
“Faleminderit John McDaid që më ke mësuar të jem person më i mirë. Dhe faleminderit CoCo që ma ke kujtuar çdo ditë se nuk jam personi më i mirë në botë. E them me të vërtetë këtë, sepse kjo nënkupton që unë po e bëjë punën time si nënë. Ti je një vajzë e përkryer. E di që nuk është e lehtë të rritesh në këtë biznes, prandaj dua ta dish se je e mrekullueshme në mënyrën tënde unike. Të dua shumë dhe jam krenare që jam nëna jote”, deklaroi Cox para të pranishmëve në Los Angeles.
Courteney u lind më 15 qershor të vitit 1964 në Birmingham të Alabamas, dhe u rrit në periferi të Mountain Brook. Ajo e braktisi kolegjin në Washington D.C. për të krijuar karrierë si modele.
Cox u shfaq në videoklipin muzikor të yllit Bruce Springsteen, “Dancing in the Dark”, dhe e shënoi debutimin në fushën e aktrimit në vitin 1987, me një rol në trilerin “Down Twisted”.