Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Në janar, një indian u arrestua sepse i ndihmoi një pakistanezeje të hynte ilegalisht në Indi dhe të merrte një dokument fals identifikimi.
Personi që ai ndihmoi, ishte gruaja e tij.
Mulayam Singh Yadav, 21 vjeç, nga India dhe Iqra Jeewani, 19 vjeç, nga Pakistani, u takuan dhe u dashuruan në internet tri vjet më parë, kur po luanin lojën online “Ludo”. Por, ata e dinin se do të ishte e vështirë për ta të ishin bashkë, shkroi BBC.
India dhe Pakistani kanë një marrëdhënie të vështirë – fqinjët kanë luftuar tri lufta që nga viti 1947, kur India u nda për pavarësi dhe Pakistani u krijua. Kjo e bën të vështirë për njerëzit të marrin viza për të takuar njëri-tjetrin.
Shtatorin e kaluar, Mulayam dhe Iqra udhëtuan në Nepal, ku u martuan. Më pas shkuan në qytetin indian Bangalore dhe jetuan bashkë.
Jeta e tyre e lumtur u kthye në tragjedi në janar kur ajo u dënua për hyrje ilegale në Indi kurse Yadav u arrestua për mashtrim dhe strehim të një të huaji pa dokumente.
Ajo u deportua në Pakistan javën e kaluar, kurse Yadav mbetet në burg.
Familjarët e tij janë prekur nga arrestimet. Ata thonë se historia e çiftit është thjesht një e dashurisë.
Edhe policia pajtohet me këtë.
“Jashtë hyrjes ilegale dhe mashtrimit, duket se është histori dashurie”, ka thënë një polic.
Historia e dashurisë së tyre filloi më 2020 gjatë izolimit të COVID-19.
Filluan marrëdhënien në distancë pasi u takuan në internet. Por, Jeewani ishte nën presion të madh nga familja e saj që të martohej.
Kështu, të dy udhëtuan në Nepal dhe u martuan.
Sipas policisë, Yadav shkonte çdo ditë në punë kurse vajza qëndronte në shtëpi. Megjithatë, shpesh e thërriste nënën e saj në Pakistan përmes WhatsAppit dhe ai e çoi policinë tek ajo.
Nëna e Yadavit shpreson se qeveritë e të dyja vendeve të ndihmojnë në bashkimin e tyre.
“Nuk na intereson nëse është myslimane ose pakistaneze, ajo është nusja jonë. Do të kujdesemi mirë për të”, ka thënë ajo./koha.net/