Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Inxhinierët e trafikut në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Veriut në SHBA po propozojnë një dritë të bardhë në semaforë, e cila do të lejonte automjetet vetë-drejtuese të përmirësojnë rrjedhën e trafikut, duke i mësuar edhe shoferët me atë çka po ndodh, shkruan Autocar.
Në simulimet kompjuterike, qasja e re përmirëson ndjeshëm kohën e udhëtimit nëpër kryqëzime dhe redukton konsumin e karburantit. Drita e kuqe ende do të nënkuptojë ndalesë. Dritat jeshile do të nënkuptojnë për të vozitur dhe drita e bardhë do t'u “thotë” shoferëve që thjesht të ndjekin veturën vetë-drejtuese përpara.
Koncepti i dritës së bardhë bazohet në faktin se është e mundur që automjetet vetë-drejtuese të komunikojnë me valë me njëra-tjetrën dhe me kompjuterin që kontrollon sinjalet e trafikut. Kur mjaftueshëm automjete vetë-drejtuese i afrohen kryqëzimit, do të aktivizohej drita e bardhë.
Në këtë skenar, semafori do të funksiononte normalisht kur përqindja e veturave vetë-drejtuese në kryqëzim është e ulët, por kur ky numër rritet, drita e bardhë sinjalizon shoferët në linjë që automjetet vetë-drejtuese kanë marrë përsipër sistemin dhe janë thjesht duke ndjekur veturën përpara.
Autorët e kësaj ideje thonë se drita nuk duhet të jetë vetëm e bardhë dhe mund të jetë çdo ngjyrë, e cila nuk përdoret tashmë në semaforët ekzistues.
Shkencëtarët e testuan këtë sistem duke përdorur simulatorët e trafikut. Kur kemi të bëjmë me një kryqëzim të “fazës së bardhë”, bllokimi u reduktua me 3 për qind kur kishte vetëm 10 për qind automjete vetë-drejtuese, por ky numër u rrit në 10.7 për qind kur kishte 30 për qind automjete vetë-drejtuese.
Autorët e studimit argumentojnë se disa programe pilot afatshkurtra të dritës së bardhë mund të fillojnë në mjedise të kontrolluara, të tilla si portet, ku automjetet tregtare, të cilat kanë më shumë gjasa të jenë vetë-drejtuese, mund të udhëtojnë shpejt dhe me efikasitet.