Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Është një pjesë normale e procesit të plakjes që trupi juaj të pësojë shumë ndryshime. Ndërsa do të vini re ndryshime në nyjat, lëkurën, kockat, muskujt dhe madje edhe aftësinë tuaj për ta menaxhuar peshën trupore, një nga ndryshimet më frustruese të lidhura me moshën është ajo që ndodhë me trurin tuaj. Edhe pse dobësimi i memories me kalimin e moshës është një pjesë e pritshme, ka hapa që mund t’i ndërmerrni për ta ngadalësuar këtë proces. Në fakt, praktikimi i rutinës së duhur të mëngjesit mund të ndihmojë në ngadalësimin e plakjes së trurit tuaj.
Çfarë mund të ndikojë në shpejtësinë e plakjes së trurit?
Rënia e kujtesës mund të ndikohet nga shumë faktorë të ndryshëm, varësisht nga ajo se sa aktiv jeni, sa flini, nëse pini duhan apo jo dhe si duket dieta juaj e përgjithshme. Ekziston një listë e gjatë hapash që mund të ndërmerrni për t’u kujdesur për shëndetin e funksionit kognitiv ndërsa plakeni, bazuar në këta faktorë. Kjo përfshin gjëra të tilla si mbajtja e mendjes sa më aktive, monitorimi i presionit të gjakut, qëndrimi social, kufizimi i konsumit të alkoolit dhe duhanit si dhe ngrënia e ushqimeve të pasura me lëndë ushqyese.
Nëse po kërkoni të zbatoni zakone më të shëndetshme për trurin tuaj, rutina e mëngjesit është një vend i mrekullueshëm për të filluar të bëni ndryshime.
Pas një gjumi të mirë, fillojeni mëngjesin me ujë
Hapi i parë në rutinën tuaj të mëngjesit teknikisht fillon një natë më parë, sepse është mirë të përgatiteni për të fjetur mjaftueshëm. Sipas një studimi të fundit të botuar në gazetën “Sleep”, kohëzgjatja më e shkurtër e pushimit të natës shoqërohet me dobësim më të shpejtë të memories dhe plakje të trurit. Pra, bëni çmos që të shkoni në shtrat herët dhe t’ia jepni vetes lirinë për t’u zgjuar në një kohë që ju ofron mjaftueshëm pushim. Pasi të jeni zgjuar, gjëja tjetër që duhet bërë është ta pini një gotë me ujë. Trupi humbet natyrshëm lëngje dhe elektrolite gjatë gjithë natës, veçanërisht nëse flini me gojë hapur. Gjithashtu, nëse hani ushqim të kripur, pini alkool ose merrni ilaçe dehidruese para se të bini në gjumë, mund të jeni më të dehidratuar në mëngjes. Dehidrimi mund ta përshpejtojë procesin e plakjes së trurit tek personat me demencë. Kjo është një arsye e mjaftueshme për t’u siguruar që jeni të hidratuar gjatë gjithë ditës dhe pini shumë lëngje, dhe rimbushja e trupit në mëngjes është një mënyrë e thjeshtë për ta filluar këtë proces të dobishëm për shëndetin. ‘
Konsumoni çaj dhe ushqime të lehta për energji, dhe bëni pak lëvizje
Qëndrimi fizikisht aktiv është i rëndësishëm për shëndetin e trurit ndërsa plakeni, kështu që hapi tjetër në rutinën tuaj është të bëni pak lëvizje. Kjo mund të jetë joga e lehtë, një shëtitje e shpejtë, pak kohë në palestër, një xhiro me biçikletë apo edhe një seancë vallëzimi në mëngjes. Lëvizja e vazhdueshme mund të ndihmojë me ankthin, kujtesën, zgjidhjen e problemeve dhe ekuilibrin më të mirë emocional. Madje, një studim zbuloi se tek të rriturit që janë më joaktivë dhe nuk ushtrojnë rregullisht, demenca ishte gati dy herë më e zakonshme, sesa tek ata që kanë një mënyrë jetese më aktive. Megjithatë, përpara se të lëvizni, do të dëshironi ta ushqeni trupin me një meze të lehtë, si për shembull fruta dhe arra. Boronicat e egra dhe arrat mund ta ushqejnë trupin me lëndë ushqyese që e mbështesin shëndetin e trurit, dhe ju bëjnë mirë ndërsa i kryeni ushtrimet e lehta fizike në mëngjes. Ekspertët sugjerojnë gjithashtu që ta pini një filxhan çaj jeshil ose të zi herët në mëngjes. Kafeina dhe L-theanina në çaj mund të ofrojnë përfitime kognitive, e përmirësojnë qartësinë mendore dhe performancën e trurit gjatë gjithë ditës.
Shijoni një mëngjes të ekuilibruar në shoqërinë e personave tjerë
Ngrënia e një mëngjesi të ekuilibruar mund të jetë një nga hapat më të rëndësishëm në këtë rutinë dhe është mënyra e përsosur për t’u mbushur me disa lëndë ushqyese të rëndësishme dhe të shëndetshme për trurin. Pas stërvitjes, një mëngjes i ekuilibruar që përfshin produkte si vezët, mund ta ushqejë trurin tuaj. Përfshirja e antioksidantëve dhe mineraleve kryesore si hekuri, magnezi dhe zinku mund të ndihmojnë gjithashtu me funksionin e njohjes.
Hekuri është i nevojshëm për bartjen e oksigjenit në tru dhe gjendet në ushqime të tilla si, mishi i kuq, vezët dhe drithërat e fortifikuara. Magnezi është i përfshirë në funksionin e trurit dhe gjendet në arra, perime me gjethe jeshile dhe drithëra. Dhe zinku është i përfshirë në sintezat e neurotransmetuesve dhe gjendet në proteinat shtazore, arrore dhe fara. Antioksidantët gjithashtu ndihmojnë në mbrojtjen e trurit nga stresi oksidativ, dhe disa opsione mëngjesi më të pasura me antioksidantë përfshijnë ushqime të tilla si, manaferrat, qershitë, mollët, kumbullat e thata, arrat dhe spinaqin.
Pasi ta keni zgjedhur mëngjesin e preferuar dhe të ekuilibruar, sugjeroheni që atë ta shijoni me një mik apo anëtar të familjes. Kjo për shkak se hulumtimet tregojnë se shoqërimi mund ta përmirësojë performancën njohëse tek të rriturit e moshuar. Pra, pavarësisht nga mosha që keni, biseda me të dashurit gjatë kohës që hani mund t’ju ndihmojë ta mbani trurin të mprehtë dhe gjithashtu mund t’ju ndihmojë të qëndroni aktiv nga ana e socializimit.
Qeraseni veten me pak kafe
Për të gjithë adhuruesit e kafesë, hapi i fundit në këtë rutinë është ta shijoni lirshëm filxhanin e kafesë së preferuar. Ka shumë studime kërkimore që e mbështesin lidhjen midis konsumit të kafeinës dhe performancës më të mirë të funksionit kognitiv, veçanërisht tek të rriturit e moshuar. Disa studime kanë zbuluar madje se konsumimi i rregullt i kafesë mund ta zvogëlojë rrezikun e sëmundjes së Alzheimerit dhe demencës. Nëse nuk jeni tashmë një konsumues i kafesë, nuk ka nevojë të shqetësoheni, prapëseprapë mund t’i merrni disa përfitime për shëndetin e trurit nga pijet tjera, siç është çaji./koha.net/