Radio Plus 102.2 FM

call + 383 44 776 000

La casa de +

p

Radio +

102.2FM

Profili

 E Hëne  - E Premte

 12:00 - 13:45

+383 44 776 000

Livestream

Dëgjo Radio Plus Live

“MuralFesti” lë shenja e mesazhe edukative në hapësirat e shkollës

Vendi  |  10.02.2023 Ora 10:55   

Ka qenë një befasi për nxënësit dhe stafin e shkollës fillore “Pjetër Bogdani” në kryeqytet, me t’u kthyer prej pushimit midis gjysmëvjetorëve. Shtatë artistë janë bërë bashkë me projektin e “MuralFestit”, duke u dhënë pamje tjetër mureve të shkollës. Aty thuren mesazhe edukative, përderisa nëpërmjet ngjyrave është transformuar ambienti

Kontrastet e ngjyrave bëhen bashkë për t’iu dhënë formë figurave ekzakte të mjeteve shkollore. Kësisoj shpalosen mesazhe edukative, që janë kryetemë e “MuralFestit” të Ferizajt, me projektin që e ka sjellë në Prishtinë.

Mureve të dikurshme të bardha tash s’mund t’u numërohen ngjyrat. Gjithçka që paraqitet me to kap syrin e secilit. Kur të analizohen mirë zbërthehet temat kryesore; edukimi dhe arsimimi. Me to tashmë ndeshen përditë nxënësit e shkollës fillore “Pjetër Bogdani” në kryeqytet. Kësaj here këto tema inkuadrohen butësisht. Në hyrje të korridorit të kësaj shkolle, vijat e zeza kanë marrë formën e portretit të figurës së shquar kombëtare emrin e të cilit e mban shkolla. Imazhi i Pjetër Bogdanit është që “mirëpret” secilin që hyn aty.

Kalimi nga korridori në korridor sjell mjetet shkollore, lojën dhe kënaqësinë, duke qenë të gjitha këto esenciale për një nxënie të suksesshme. Ngjyrat e harmonizuara janë siguruar që, ndër të tjera, në to të mbajnë edhe mesazhe si “Mëso”. Pos të tjerash, teksa nxënësit kalojnë andej, ndeshen me karakteristikat themelore të profesioneve që ata mund të zgjedhin në të ardhmen.

 

Kjo mënyrë arti është aplikuar aty dhe qëllim ka bërjen sa më atraktive të ambientit në të cilin nxënësit kalojnë një pjesë të madhe të ditës. Inkuadrimi i artit dhe i ngjyrave është alternativa e zgjedhur për ta bërë këtë shkollë më speciale në dukje.

 

Kalimi i “MuralFestit” edhe në hapësirat shkollore është një privilegj për ta. Madje të rinjtë e platformës “Artivistët”, që shumica tashmë kanë kaluar periudhën e bankave shkollore, i riktheu përsëri aty.

“Shkolla ka qenë e rastësishme, por ne jemi shumë mirënjohës që është zgjedhur kjo shkollë, sepse ka pasur nevojë për ngjyra. Ne mendojmë që një nga mënyrat më të mira që të mësojnë nxënësit është përmes imazheve. Këto pos që do të ndikojnë në gjendjen emocionale të nxënësve, do të ndikojnë edhe që ata të informohen. Për shembull, në pjesën e parashkollorëve janë numrat në mënyrë që ata të njoftohen më shumë dhe t’i kenë informatat e freskëta”, ka thënë Adea Rexhepi nga Festivali i Muraleve.

Artistët artin e tyre e zhvendosën nga qyteti i Ferizajt, që është shtëpia e “MuralFestit”. Edhe një tjetër hapësirë u larmua me gjurmët që lanë këta artistë.

Puna disaditore e shtatë artistëve që kanë qenë pjesë e aktivitetit është shpërblyer me reagimin pozitiv të nxënësve të shkollës.

“Duke i parë hapësirat e zbrazëta në pikërisht këto hapësira shkollore, e kemi parë shumë të arsyeshme ta bëjmë këtë projekt dhe t’i japim më shumë ngjyra dhe forma ku secili prej fëmijëve mundet me e gjet veten aty”, ka thënë Antika Veseli, njëra nga shtatë artistët që janë autorët e veprave.

Për shumicën nga ta kjo nuk është hera e parë që i bëjnë muret me shumë ngjyra. Muret e shkollës ngjajnë ndryshe për ta.

“Ky është vetëm njëri ndër projektet që i kemi bërë. Ka qenë pak më ndryshe, sepse ka qenë një shkollë e tërë në të cilën kemi bërë murale brenda saj. Kështu që ka qenë ndryshe. Pak ishte sfiduese për nga hapësira, mirëpo puna shkoi shumë mirë”, ka thënë Veseli duke u shprehur se ka qenë tejet e lumtur që ishte pjesë e një organizimi të tillë, me vlerë për nxënësit.

Për stafin e shkollës, muralet kanë ndikuar pozitivisht jo vetëm tek nxënësit.

Nexhmedin Sejdiu, që është koordinator i cilësisë në këtë shkollë, ka thënë se ato erdhën si befasi për nxënësit e shkollës. Të realizuara në kohën kur ata ishin në pushim, rikthimi në hapësirat shkollore solli këtë freski, për të cilën Sejdiu u është falënderues “MuralFestit” dhe artistëve.

“Në përgjithësi arti është ai i cili flet edhe nëpërmjet një pikture. Nxënësit janë ndarë shumë të kënaqur, sepse faktikisht ndikon edhe në gjendjen psikologjike dhe ndikon pozitivisht edhe në produktivitetin e tyre mësimor. Jo më se normale. Jo vetëm nxënësit, por edhe stafi mësimor kur e pa që janë realizuar disa murale të jashtëzakonshme, secili kishte komente nga më të ndryshmet dhe pozitive”, ka thënë ai.

Puna ekipore e të rinjve vullnetarë të “MuralFestit” zgjati rreth një javë, përderisa muralet do të kenë vend të përhershëm në hapësirat e shkollës./koha.net/

Komentet

Marketing

 

Tjera në Vendi

Marketing