Radio Plus 102.2 FM
call + 383 44 776 000
Dëgjo Radio Plus Live
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë vendim për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse.
MINT ka bërë të ditur të mërkurën se ka evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore të produkteve të naftës me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nga monitorimi i rregullt i tregut të produkteve të naftës dhe bazuar në evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës lidhur me çmimet e furnizimit/importit të produkteve të naftës si dhe raportin e Inspektoratit të Tregut lidhur me çmimet e shitjes me pakicë të produkteve të naftës, ka evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror, çka përbën bazë/shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse”, thuhet në njoftimin e MINT.
MINT thotë se me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.
Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy centë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë centë për litër.
" Llogaritja e marzhës tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4 paragrafi 1.1 dhe 1.2. të U/A Nr. 03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtrishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse”, thuhet në njoftim.
Ky vendim hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës./rtk/